Hamza uron popullin amerikan për Ditën e Falënderimeve: Mirënjohje për mbështetjen historike të SHBA-së ndaj Kosovës
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka uruar popullin amerikan me rastin e Ditës së Falënderimeve, duke shprehur falënderim të veçantë për amerikanët që shërbejnë në Kosovë dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara.
Në mesazhin e tij, Hamza theksoi rëndësinë e kësaj feste, e cila, sipas tij, bashkon njerëzit përtej kufijve dhe distancave.
“Gëzuar Ditën e Falënderimeve popullit amerikan dhe të gjithë amerikanëve që shërbejnë në Kosovë! Kjo është një ditë që na bashkon të gjithëve me mirënjohje, pavarësisht largësisë. Jemi mirënjohës për miqësinë, partneritetin dhe mbështetjen historike e të pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë. Shumë mirësi dhe bekime për të gjitha familjet amerikane!”, ka shkruar Hamza.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderohen partneri strategjik më i rëndësishëm i Kosovës, me rol të pazëvendësueshëm në shtetndërtim, siguri dhe proceset demokratike të vendit.


