Guvernatori Ismaili pret delegacionin e Bundesbankës Gjermane
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me zëvendësguvernatorët, ka pritur në takim Burkhard Balz, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Bundesbankës Gjermane, i cili ndodhej për një vizitë zyrtare në Kosovë – e para e këtij niveli të lartë nga kjo bankë prestigjioze gjermane.
Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili dhe z. Balz diskutuan mbi marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunimin afatgjatë mes BQK-së dhe Bundesbankës, me fokus të veçantë në menaxhimin e rezervave monetare, operacionet financiare dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale.
Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për partneritetin profesional me Bundesbankën, duke veçuar rolin e saj në operimin e linjës repo të Eurosistemit për BQK-në – një mekanizëm kyç në ruajtjen e likuiditetit dhe stabilitetit financiar.
Në vijim të diskutimeve, Guvernatori informoi delegacionin gjerman për zhvillimet e fundit në sektorin financiar të Kosovës dhe për reformat strukturore që janë ndërmarrë për forcimin e stabilitetit financiar, modernizimin e infrastrukturës së pagesave si dhe përafrimin e kuadrit ligjor dhe rregullator me standardet e Bashkimit Evropian.
Ismaili rikonfirmoi gjithashtu synimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), duke theksuar rëndësinë e mbështetjes nga partnerët evropianë, përfshirë edhe Bundesbankën, në këtë proces strategjik.
Kjo vizitë vjen si vazhdim i takimit të fundit mes Guvernatorit Ismaili dhe Presidentit të Bundesbankës, Joachim Nagel, që u mbajt në selinë e Bundesbankës në Frankfurt, dhe është dëshmi e thellimit të lidhjeve institucionale dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet dy bankave qendrore.
Në përfundim, të dy palët vlerësuan lart mbështetjen që po ofrohet përmes programit të financuar nga Bashkimi Evropian “Programi për Fuqizimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor”, i zbatuar nga Bundesbanka në bashkëpunim me bankat qendrore të Eurosistemit. Palët shprehën gjithashtu gatishmërinë për të avancuar më tej bashkëpunimin në fusha të tjera me interes të përbashkët.


