Guardiola: Skuadra ka fituar një ndjesi tjetër, qetësi në mbrojtje dhe sulm
Pas fitores së fundit të Manchester Cityt ndaj Napolit, trajneri Pep Guardiola ka shprehur kënaqësinë e tij për përmirësimin e dukshëm të ekipit në të dyja fazat e lojës, mbrojtje dhe sulm.
Tekniku spanjoll vlerësoi veçanërisht mënyrën se si skuadra e tij po fiton gjithnjë e më shumë qetësi dhe vetëbesim, ndërsa theksoi rëndësinë që kjo formë e mirë ka për përballjen e ardhshme ndaj Arsenalit në Ligën Premier.
“Skuadra, në dy ndeshjet e fundit, ka fituar një ndjesi tjetër, qetësi në mbrojtje dhe në sulm, gjuha e trupit është jashtëzakonisht e mirë. Jam shumë i kënaqur. Të shkojmë atje me këto ndjesi është shumë më mirë”, ka thënë Guardiola.
Trajneri i Cityt e konsideron këtë moment si shumë të rëndësishëm, jo vetëm për përballjet në kampionat, por edhe për objektivat madhor në arenën evropiane.
Ai beson se forma aktuale e Cityt tregon qartë që ekipi po afrohet drejt kulmit të vet në momentin e duhur të sezonit.
Përballja me Arsenalin pritet të jetë një nga sfidat më të forta të fazës aktuale të Ligës Premier, ku të dyja skuadrat janë në formë të lartë dhe me ambicie të qarta për titullin. /Telegrafi/


