Please enter at least 3 characters.

GM shton 50 “robotë bashkëpunues” në fabrikë pasi largoi mbi 1.000 punëtorë

Kompania General Motors (GM) ka instaluar rreth 50 robotë bashkëpunues (cobots) në fabrikën e saj Factory Zero, vetëm disa javë pasi largoi nga puna mbi 1.000 punonjës dhe “zbuti” planet për zgjerimin e prodhimit të automjeteve elektrike.

Sipas presidentit të sindikatës UAW Local 22, James Cotton, robotët e rinj, të prodhuar nga FANUC, punojnë krah për krah me punëtorët në linjën e montimit, duke vendosur pjesë të ndryshme në automjete.

Ai pretendon se këto sisteme po zëvendësojnë vende pune që më parë kryheshin nga punonjësit.

"Është gjithmonë shqetësuese kur sheh robotë që vijnë në një fabrikë, sidomos pasi janë pushuar nga puna mbi një mijë njerëz. Nëse kjo është e ardhmja, atëherë po u merren vendet e punës njerëzve", deklaroi Cotton.

Sindikata ka paraqitur ankesa zyrtare ndaj GM-së, duke shprehur gjithashtu shqetësime për sigurinë e punëtorëve që punojnë në afërsi të robotëve.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i GM-së, Kevin Kelly, tha se instalimi i robotëve është pjesë e strategjisë së kompanisë për të futur teknologji më të avancuara në prodhim.

Sipas tij, robotët ndihmojnë në përmirësimin e sigurisë dhe ergonomisë së punëtorëve, ndërsa e bëjnë prodhimin më fleksibël dhe konkurrues.

Profesori Marick Masters nga Wayne State University vlerëson se sindikata do të duhet të forcojë dispozitat në kontratat kolektive lidhur me përdorimin e robotëve dhe teknologjive të avancuara. /Telegrafi/