Gjykata Kushtetuese: Zgjedhja e nënkryetarit serb ishte antikushtetuese
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë aktgjykim më 28 janar 2026 në rastin KO325/25, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procesverbaleve nga seanca e Kuvendit të Kosovës e mbajtur më 10 tetor 2025, në të cilën ishte zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
Kërkesa ishte parashtruar nga Igor Simiq dhe nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit, në bazë të nenit 113, paragrafi 5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata ka vendosur, me gjashtë vota për dhe një kundër, ta shpallë kërkesën të pranueshme, ndërsa me pesë vota për dhe dy kundër ka konstatuar se Vendimi i Kuvendit Nr. 09-V-071, i datës 10 tetor 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, nuk është në përputhje me nenin 67, paragrafi 4 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 12, paragrafi 6, nënparagrafi 1 dhe paragrafin 7 të Rregullores së Kuvendit.
Megjithatë, Gjykata ka vlerësuar se, duke u bazuar në parimin e sigurisë juridike, ky aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues në rrethanat konkrete të rastit. Po ashtu, kërkesa për caktimin e masës së përkohshme është refuzuar njëzëri.
Në aktgjykim thuhet se parashtruesit e kërkesës kishin kontestuar procesverbalet e seancës së Kuvendit të 10 tetorit 2025, duke pretenduar se procedura e ndjekur për zgjedhjen e nënkryetarit ishte në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë edhe aktgjykimin në rastin KO265/25.
Gjykata ka sqaruar se, pas dështimit të disa votimeve radhazi për kandidatët e propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, Kryetari i Kuvendit kishte vazhduar procedurën e shortit, duke hedhur në votim emrin e deputetit Nenad Rashiq, i cili mori 71 vota për, nëntë kundër dhe 24 abstenime, çka u konsiderua si zgjedhje e nënkryetarit të fundit të Kuvendit dhe përmbyllje e seancës konstituive.
Në vlerësimin e meritave, Gjykata ka theksuar se e drejta e propozimit për nënkryetar nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë i takon shumicës së deputetëve të atij komuniteti, si shprehje e legjitimitetit demokratik dhe mbrojtjes kushtetuese të të drejtave të komuniteteve joshumicë.
Po ashtu, është nënvizuar se mekanizmat e debllokimit, përfshirë procedurën e shortit, duhet të përdoren vetëm në rrethana përjashtimore dhe në funksion të konstituimit të Kuvendit brenda afateve kushtetuese, pa cenuar standardet kushtetuese dhe rregullatore për përfaqësim efektiv të komuniteteve. /Telegrafi/


