Gjobat deri në 50 mijë për keqpërdorim me resurse shtetërore në fushatë
Çdo resurs shtetëror i përdorur për vota, nga veturat zyrtare tek zyrat e institucioneve, mund të kushtojë deri në 50 mijë euro gjobë për zyrtarët publikë gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas njohësve për çështje politike, Qeveria Kurti veçse e ka bërë duke kompletuar kabinetin e tij edhe pse është Qeveri në detyrë, me qëllim të angazhimit të personave për fushatë zgjedhore.
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme e përcakton qartë se automjetet zyrtare s’mund të përdoren në kohë fushate zgjedhore.
Në një periudhë të tillë, rreptësisht të ndaluara janë të gjitha resurset shtetërore me qëllim të përfitimit të votave.
Por, në rast se ministrat në detyrë, kryetarët e komunave që kandidojnë për deputetë, apo edhe kandidatët e tjerë e shfrytëzojnë cilindo resurs shtetërorë, për ta pasojnë gjoba.
“Paneli zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, shpesh herë, në jo pak raste, ka shqiptuar gjoba ndaj kandidatëve për deputetë dhe subjekteve politike të cilat i kanë shfrytëzuar resurset publike, qoftë komunale apo qeveritare. Gjobat variojnë, shkojnë deri në 50 mijë euro maksimum”, ka theksuar Vullnet Bugaqku, KDI.
Për qëllime të përfitimit elektoral nuk mund të shfrytëzohet as stafi i administratës publike, i Arsimit, i Shëndetësisë e i Gjykatave.
“Nuk mund të shfrytëzohen as ambientet e brendshme dhe të jashtme të institucioneve zyrtare publike, p.sh. zyret e Qeverisë, Kuvendeve edhe komunale, apo agjencitë e tjera shtetërore, sepse kjo i bie se po keqpërdoren për qëllime të fitimit elektoral”, ka deklaruar Bugaqku, raporton RTV Dukagjini.
Përdorimi i resurseve shtetërore nga partia deri tash në pushtet, sipas njohësve për çështje politike e dëmton në tërësi procesin zgjedhor, duke e bërë garën të pabarabartë mes subjekteve politike.
“Vetë fakti që z.Kurti është përkujdes të kompletojë kabinetin, pavarësisht se Qeveria e tij është në detyrë, tregon që ka angazhu sa më shumë njerëz duke iu dhënë mundësi që të kenë asistenta, automjete dhe ato t’i shfrytëzojnë direkt për fushatë zgjedhore”, ka deklaruar Bekim Kabashi, njohës i çështjeve politike.
Veturat zyrtare pa asnjë kufizim mund të përdorën nga Presidenti, kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, ashtu siç është e rregulluar me Ligjin për Protokollin e Shtetit.


