Gjenden mbetje mortore në Drenas, dyshohet për person të zhdukur nga lufta
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë një operacioni hetimor janë gjetur mbetje mortore në fshatin Negrovc të Drenasit, për të cilat dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Sipas njoftimit, më 16 prill 2026, njësitë përkatëse kanë realizuar veprime të gërmimit dhe eksumimit në lokacionin e varrezave të dëshmorëve në këtë fshat, ku janë hasur eshtra që dyshohet se i përkasin së paku një personi.
Autoritetet bëjnë të ditur se ekziston dyshimi se bëhet fjalë për një person të zhdukur gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim mjeko-ligjor, me qëllim të identifikimit dhe sqarimit të rrethanave të rastit.
Hetimet lidhur me këtë çështje janë në vazhdim. /Telegrafi/


