Gjashtë vjet nga rasti i parë me COVID-19 në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se sot shënohen gjashtë vjet nga konfirmimi i rasteve të para me COVID-19 në vend, të cilat ishin diagnostikuar në Departamentin e Mikrobiologjisë në këtë institucion.
Sipas IKSHPK-së, përballja me pandeminë nisi me një virus të panjohur për vendin dhe për botën, por institucionet shëndetësore arritën të japin një shembull të menaxhimit që u vlerësua edhe ndërkombëtarisht.
“Ndonëse u gjetëm para një shkaktari të panjohur për ne dhe për tërë botën, ne treguam shembull që dha rezultat në vend dhe u shqua e u njoh nga bota”, thuhet në njoftim.
Instituti ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe janë realizuar mbi dy milionë testime për virusin SARS-CoV-2 në Kosovë.
“Nga data 13 mars 2020 deri më 13 mars 2026, në Kosovë janë testuar mbi 2 milionë mostra për SARS-CoV-2, janë konfirmuar 276,300 raste pozitive, ndërsa janë regjistruar 3,238 humbje jete”, thuhet më tej në njoftim.
IKSHPK thekson se koordinimi institucional dhe shkëmbimi i vazhdueshëm i informatave kanë qenë kyçe në menaxhimin e situatës gjatë pandemisë.
“Koordinimi, shkëmbimi i informatave në kohë reale dhe vendimmarrja e përbashkët, dëshmuan se bashkëpunimi ndërinstitucional është forca më e madhe në kohë sfidash”, thekson instituti.
Sipas IKSHPK-së, përvoja e fituar gjatë pandemisë ka ndikuar që sistemi i shëndetit publik në Kosovë të jetë më i përgatitur për përballjen me sfida të ngjashme në të ardhmen.
“Sot, sistemi i shëndetit publik është më i përgatitur për të identifikuar, monitoruar dhe reaguar ndaj sfidave të ngjashme të shëndetit publik”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


