Garë mes tre top klubeve angleze për Rodrygon
Real Madridi është i gatshëm të shesë Rodrygo Goes këtë verë, pasi ai nuk është më pjesë e planeve të trajnerit të ri, Xabi Alonso.
Sulmuesi brazilian ka humbur rëndësinë në skuadër pas mbërritjes së Kylian Mbappe dhe rritjes së Arda Guler, duke e shtyrë të mendojë për një largim të mundshëm nga 'Santiago Bernabeu'.
Pavarësisht se mbetet një figurë e vlerësuar në dhomën e zhveshjes, pakënaqësia e Rodrygos për minutat e pakta e ka bërë të hapur ndaj ofertave, dhe klubi spanjoll do të shqyrtojë çdo propozim bindës nga Liga Premier.
Arsenali ka dalë si një nga kandidatët kryesorë. Mikel Arteta është i bindur se Rodrygo do të ishte një përforcim i menjëhershëm dhe ka autorizuar klubin të përmbushë kërkesat financiare të madrilenëve.
Ndërkohë, Manchester City ka hyrë fuqishëm në garë. Pep Guardiola pëlqen shumë profilin e lojtarit dhe sheh te ai një element të vlefshëm si për krahun, ashtu edhe për repartin qendror të sulmit.
Liverpooli nuk qëndron pas. Trajneri i ri Arne Slot ka sinjalizuar interes të fortë për brazilianin, duke e konsideruar si pjesë kyçe të rindërtimit të ofensivës së tij për sezonin e ardhshëm.
E ardhmja e Rodrygos është tashmë në qendër të vëmendjes, ndërsa City, Arsenal dhe Liverpool përgatiten për një betejë të fortë në merkato. Ofertat pritet të konkretizohen në ditët në vijim derisa Reali synon të përfitojë mbi 80 milionë euro nga shitja e tij. /Telegrafi/


