Frika nga zgjedhjet
Fushata zgjedhore zyrtarisht fillon nesër, por ajo ka filluar dy javë përpara, pa i përfillur ligjet dhe rregullat zgjedhore. Kanë qenë në radhë të parë partitë në pushtet që nuk e kanë respektuar fillimin zyrtar të garës zgjedhore, me gjithë parimin se pushteti kontrollohet nga zgjedhjet, ndërsa zgjedhjet janë testi thelbësor i demokracisë.
Kur pushteti kërkon të mos i respektojë rregullat zgjedhore, atëherë demokracia vihet në rrezik. Elemente të këtij rrezikimi tashmë janë dhënë. Fushata e parakohshme e zgjedhjeve të para në Kosovën e pavarur, e nisur përtej rregullave të përcaktuara, krijon një precedencë të mosrespektimit të rregullave zgjedhore edhe për të ardhmen.
Nëse ligjet do t'i kuptonim si një vullnet i përbashkët i qytetarëve për t'u qeverisur, kjo nënkupton se ato jo vetëm duhet të respektohen nga pushteti, por madje pushteti të jetë garantues i zbatimit e jo i shkeljes së tyre. Vetëm në këtë kuadër, individi mund t’i realizojë të drejtat dhe liritë e tij, si dhe të konsolidohet demokracia e re e vendit.
Por, mbushja e qyteteve me pllakate të konkurruesve për kryebashkiakë, spotet televizive dhe botimi i reklamave zgjedhore nëpër faqet e shtypit janë prova materiale të padiskutueshme të shkeljes së rregullave zgjedhore.
Këto veprime e shpallin të paqenë përcaktimin 30-ditor të fushatës. Që këtu, komisioni zgjedhor për ankesa dhe parashtresa (KZAP) është para një sprove: do t’i respektojë ligjet, do të krijojë precedenca të mira të respektimit të ligjit, apo pesë gjykatësit supremë dhe të qarqeve në kuadër të KZAP-së nuk do dëshmojnë të kenë integritet dhe guxim për të ndëshkuar mosrespektimin e ligjit nga të fortët e politikës?!
Ligji i zgjedhjeve lokale thekson edhe se ‘është rreptësisht i ndaluar përdorimi i posteve publike, burimeve ose i personelit të cilitdo institucion në nivel qendror ose lokal, me qëllim të përkrahjes së subjektit politik në zgjedhje’.
Por, përfshirja e hershme edhe e presidentit në fushatën e papërligjur të parakohshme vë në dyshim madje edhe respektimin e përcaktimit kushtetues si përfaqësues i unitetit.
Edhe zhvillimet e mëhershme të përgatitjes së procesit zgjedhor kanë dhënë mesazhe jo të mira, se këto zgjedhje mund të hapin debate për rregullshmërinë e procesit.
Akrobacitë e KQZ-së me kamerat në vendvotime kanë lëkundur besimin që duhet të ketë ky institucion për pavarësinë, paanshmërinë dhe integritetin e palëkundur, ndërsa provimi final ende mbetet për t'u dhënë me numërimin, përpunimin dhe certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Sfida mbetet e madhe edhe për pushtetin gjyqësor, tashmë mjaft të kritikuar edhe në raportin e Komisionit Evropian.
Organet e drejtësisë do të duhej të dëshmojnë efikasitet dhe ta zbatojnë ligjin ndaj çdo shkelësi eventual dhe prishësi të procesit zgjedhor, qoftë gjatë fushatës apo ditën e votimit. Avazi i vjetër i mospunës së gjykatave të degraduara do t'i trimëronte shkelësit e ligjeve dhe do ta shtonte frikën edhe për të ardhmen. Praktika e vendeve përreth ka treguar qartë se sistemi joefikas gjyqësor ka ndikuar edhe në degradimin e procesit elektoral.
Në rrethanat specifike delikate për vendin, nuk duhet harruar se mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve është jashtëzakonisht e rëndësishme për të ardhmen demokratike, praktikat që do të krijohen dhe vlerësimet ndërkombëtare që do të merren. Kosova për herë të parë organizon zgjedhje pas pavarësisë së saj, por edhe për herë të parë i organizon vetë ato.
Me këto zgjedhje do të duhet të dëshmohet se institucionet e vendit janë të afta të organizojnë një proces korrekt zgjedhor dhe t’i respektojnë ligjet. Vëzhgimi ndërkombëtar megjithatë do t'i ketë sytë nga Kosova, pavarësisht se vëzhgimi do të mungojë nga institucionet kryesore të specializuara për zgjedhjet, ODIHR (OSBE) dhe Këshilli i Evropës.
Në rajonin e palavdëruar për traditë zgjedhore, deri tani Kosova është lavdëruar për proces mjaft të qetë dhe të rregullt elektoral. Por, sinjalet duket se janë shqetësuese. Një proces i palavdëruar zgjedhor do ta dëmtonte vendin në procesin e konsolidimit të shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit dhe do të krijonte precedentë mjaft të dëmshëm edhe për të ardhmen.
Këto zgjedhje do të kenë jehonë jo për faktin se cila parti do të marrë më shumë komuna, por se sa kanë qenë në gjendje institucionet e vendit të mbajnë zgjedhje korrekte. Këto janë jo vetëm një test për demokracinë e re të vendit dhe pjekurinë demokratike të politikës, por me një efekt të rëndësishëm edhe për procesin integrues evropian, ndërsa do të reflektohet ndjeshëm edhe në procesin e njohjeve tani për tani të bllokuara.


