Franca nuk njeh kundërshtar, mposht Suedinë lehtësisht dhe kalon tutje
Franca ka siguruar një vend në raundin e 16-të të Kupës së Botës, pasi mposhti bindshëm Suedinë me rezultat 3-0 në stadiumin “MetLife”.
Njeriu i ndeshjes ishte Kylian Mbappe, i cili realizoi dy gola, ndërsa një tjetër e shtoi Bradley Barcola, në një sfidë që “Gjelat” e dominuan nga fillimi deri në fund.
Në raundin e ardhshëm, Franca do të përballet me Paraguain, i cili një ditë më parë eliminoi Gjermaninë pas ekzekutimit të penalltive.
Suedia e nisi më mirë ndeshjen dhe krijoi rastin e parë në minutën e tretë, kur Alexander Isak provoi nga afër, por Mike Maignan ishte i vëmendshëm.
Megjithatë, pjesa tjetër e fraksionit të parë i takoi plotësisht francezëve. Në minutën e 20-të, Mbappe e dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozitë jashtë loje. Pak çaste më parë, Barcola kishte humbur një mundësi të artë.
Presioni francez vazhdoi me Adrien Rabiot që u ndal nga portieri Zetterström, ndërsa në minutën e 32-të Mbappe goditi shtyllën. Vetëm tre minuta më vonë, Michael Olise ishte pranë golit me një goditje spektakolare me gërshërë.
Dominimi i Francës u shpërblye në minutën e 45-të. Ousmane Dembele shërbeu për Mbappen, i cili kaloi portierin suedez dhe me një goditje të fuqishme realizoi për 1-0.
Suedia pati një mundësi të mirë për të barazuar në kohën shtesë të pjesës së parë, por Stroud nuk arriti të gjejë kuadratin, duke gjuajtur mbi traversë.
Franca e nisi me qetësi pjesën e dytë, por në minutën e 53-të dyfishoi epërsinë. Aurelien Tchouameni gjeti Olisen, i cili dërgoi një top perfekt në hapësirë për Bradley Barcolan dhe sulmuesi francez nuk gaboi për 2-0.
Olise vazhdoi të ishte një kërcënim konstant për mbrojtjen suedeze, por Zetterström i mohoi disa raste të mira, ndërsa në minutën e 71-të mesfushori francez humbi një mundësi ideale pas një kundërsulmi të shpejtë.
Gjithçka u mbyll në minutën e 74-të. Përsëri në skenë doli Olise, i cili me një pasim fantastik nxori Mbappen përballë portës dhe kapiteni francez shënoi golin e dytë personal për rezultatin përfundimtar 3-0.
Deri në fund të takimit, të dy trajnerët kryen disa zëvendësime, ndërsa Barcola dhe Viktor Gyokeres patën edhe disa raste të tjera, por rezultati nuk ndryshoi.
Me këtë fitore bindëse, Franca vazhdon rrugëtimin në Kupën e Botës dhe në fazën e 1/8 së finales do të synojë të kalojë edhe pengesën e quajtur Paraguai. /Telegrafi/


