Fqinjët na e kanë friken
Gjatë javës që sapo mbaroj një ngjarje bukur interesante ndodhi në Ballkan, e që kishte të bënte edhe me ne kombin shqiptarë. Për fatin e keq mediet tona as që u morën me këtë ngjarje, sepse të gjitha i kishte kapluar sikleti i krizës politike në Kosovë, Kongresit të radhës së LDK-së, çështjes së heqjes së vizave qytetarëve të Shqipërisë, kontradiktave që kanë lindur mes shqiptarëve të Maqedonisë rreth dosjeve të UDB-së, dhe deklaratës disi befasuese të nën-kryetarit të Komunës së Preshevës se Lugina deri në vitin 2015 do t’i bashkohet Shqipërisë etnike. Për të mos e zgjatur, fjala është për vizitën zyrtare dy ditore të Kryetarit të Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov në Podgoricë. Zotëria, në Malin e Zi, u prit me të gjitha ceremonitë e rastit, dhe morri pjesë në nënshkrimin e disa marrëveshjeve dypalëshe për tregtinë, arsimin, etj., por pas takimit me Kryetarin e Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç, tregoi edhe arsyen e mirëfilltë të vizitës së tij në Podgoricë!
Ivanov shprehu shqetësimin e tij të madh lidhur me iniciativën më të re intelektuale që ka buruar në Tiranë; për Shqipërinë natyrale, duke e quajtur atë si “kërcenim të drejtpërdrejtë për sovranitetin e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi”. Kryetari i Republikës së Maqedonisë, po ashtu u shpreh se, shqiptarët dhe Shqipëria do të faktorizoheshin shumë më shumë si stacion politik, ekonomik, i sigurisë dhe i ndikimit të përgjithshëm në Ballkan në qoftë se Shqipëria natyrale do të bëhej realitet. Duke u përgjigjur në shqetësimin e mysafirit të tij, Kryetari i Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç, tha përpara gazetarëve se; “një shqetësim i tillë nuk ekziston në rastin e Malit të Zi, sepse partitë politike shqiptare tek ne nuk e përkrahin një ide të tillë, dhe se shteti malazez është garantues i të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim kombësie, por se nëse vihet në zbatim sigurisht që një ide e tillë është e rrezikshme për stabilitetin e Malit të Zi”.
Ishte kjo një shfaqje haptazi e frikës që fqinjët tanë kanë ndaj nesh nëse do të jetonim të bashkuar. Shih për këtë ideja e Shqipërisë natyrale duhet jo vetëm mbështetur dhe përkrahur me forcë, por edhe duhet vënë në jetë një herë e më parë. Tani kur bota po na tregon se bashkimi njëmend bën fuqinë, me rastin më konkret Bashkimin Evropian, ku për interesat kombëtare janë bashkuar në një familje 27 vende, të cilat në historinë botërore e kanë larë me gjak duke i shkaktuar dhimbje dhe dëshpërim të pafund njëri tjetrit, atëherë pse të mos bashkohemi edhe ne si komb!? Fundja kështu siç jemi të ndarë në disa shtete nuk po realizojmë dot stabilitet ekonomik, politik dhe institucional në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe po kërcënohemi nga asimilimi në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës.
Pengesat politike ndërkombëtare kanë filluar të shkrihen rreth kësaj çështje. Bota na sheh tani si popull i ndarë, dhe na i njeh hallet tona. Fqinjët po na dërgojnë sinjale se të bashkuar ata do na respektonin më shumë nga ç’bëjnë tani, duke na tallur e fyer kurdo e kujtdo ti vije mundësia. Problemi është të gjejmë njerëz në elitën tonë politike që do të flisnin hapur në mbështetje të bashkimit kombëtarë. Sepse këta jo vetëm që e kanë gojën të ngurtësuar rreth kësaj çështje, por sillen sikur do t’i kaplonte mortaja kurdo që dikush e ngrit këtë çështje. Ta provojmë njëherë edhe bashkimin, por jo si testim, por si instrument që do të na çonte drejt stabilitetit, shtetit të së drejtës, zhvillimit të mirëfilltë dhe të studiuar ekonomik si dhe faktorizimit ndërkombëtarë. Shqipëria natyrale besoj, nuk do të ishte një super shtet, por një shtet modest dhe i mjaftueshëm për nevojat e banorëve të vet. E pikërisht kaq qytetari kërko nga shteti.
(Autori është ligjërues i Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Glasgow-t dhe atë të Newcastle-s, bashkëpunëtor shkencor në Qendrën për Studimet e Evropës Lindore në Glasgow dhe anëtar korrespondent në Qendrën për Studime Strategjike në Londër)


