Please enter at least 3 characters.

Fotografia nga Shtëpia e Bardhë që pushtoi modën: Çantat luksoze të zonjave të para në fokus

Zonjat e para të botës tërhoqën vëmendjen me zgjedhjet e tyre të modës, duke shfaqur marka ikonike dhe stil të rafinuar

Një samit i fundit global për inteligjencën artificiale dhe arsimin, i organizuar në Shtëpinë e Bardhë nga zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, nuk solli vetëm diskutime për të ardhmen, por edhe një moment të veçantë për botën e modës.

Në këtë ngjarje, ku morën pjesë zonja të para dhe delegatë nga 45 vende, vëmendjen e mediave e tërhoqi edhe një “samit paralel”, ai i stilit dhe elegancës. Një fotografi e realizuar gjatë takimit u bë virale dhe përfundoi në faqet e revistës Vogue, duke u kthyer në një pasqyrë të modës së nivelit më të lartë.

Çantat që zgjedhin zonjat e para

Fotografia, e realizuar nga influenceri politik Link Lauren, kap një moment unik: një përzgjedhje çantash luksoze që përfaqësojnë disa nga shtëpitë më të njohura të modës në botë.

Në të shfaqen modele ikonike të Chanel nga epoka e Karl Lagerfeld, si dhe modele më të reja të kësaj shtëpie prestigjioze. Po ashtu, dallohen disa çanta të markës Hermès, përfshirë modelin legjendar Birkin dhe Kelly.

Në këtë “mozaik mode” nuk mungojnë as krijimet e Ferragamo, si modeli Gancini, si dhe çanta elegante Sac de Jour e Saint Laurent.

Mes markave të tjera të përfaqësuara janë edhe Brandon Blackwood me modelin Kendrick dhe Michael Kors, që plotësojnë këtë “galeri” të luksit bashkëkohor.

Një detaj që tërheq vëmendjen është edhe prania e portofolit Lady Dior Voyageur nga Dior, një nga modelet më të njohura të kësaj marke, transmeton Telegrafi.

Çantat si simbol stili dhe identiteti

Interesi i madh për këtë fotografi dëshmon se çantat nuk janë thjesht aksesorë, por një formë e shprehjes së stilit dhe identitetit. Në rastin e zonjave të para, ato shpesh bartin edhe një mesazh simbolik, duke reflektuar elegancën, kulturën dhe pozicionin e tyre në skenën ndërkombëtare.

Zonjat e para dhe çantat ikonike ndër vite

Historikisht, zonjat e para të SHBA-së i kanë kushtuar rëndësi të veçantë zgjedhjes së çantave, duke i kthyer ato në pjesë të identitetit të tyre publik.

Figura si Mamie Eisenhower, Nancy Reagan, Barbara Bush, Hillary Clinton dhe Laura Bush shpesh kanë zgjedhur çanta të markës Judith Leiber, të zbukuruara me kristale, shumë prej të cilave sot ruhen në Smithsonian në Uashington.

Ndërkohë, Jacqueline Kennedy ishte e njohur për dashurinë ndaj çantave Gucci, një model i të cilave u riemërtua në nder të saj. Ajo preferonte gjithashtu Hermès, Chanel dhe Valentino.

Michelle Obama, gjatë mandatit të saj, shpesh zgjidhte çanta nga Givenchy dhe Zac Posen.

Ndërsa Melania Trump vazhdon të preferojë marka si Ralph Lauren, Thom Browne dhe në veçanti Dior, Dolce & Gabbana dhe Hermès. Ajo konsiderohet ndër zonjat e para që ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë me çantën Birkin në dorë. /Telegrafi/