Fondi sovran norvegjez me humbje prej 68 miliardë dollarësh
Fondi sovran norvegjeze njoftoi se tremujorin e parë e ka mbyllur me humbje, duke theksuar rënien e çmimeve të aksioneve të gjigantëve amerikanë të teknologjisë.
Në tre muajt e parë, fondi norvegjez operoi me një minus prej 636 miliardë koronash norvegjeze (68.44 miliardë dollarë), që është 53.3 për qind më i madh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rezultatet tregojnë një kthim negativ prej 1.9 për qind për periudhën tremujore që përfundon në muajin mars, shkruan msn.
Fondi u themelua në vitin 1996 dhe investon të ardhurat nga nafta dhe gazi në aksione, obligacione dhe pasuri të paluajtshme. Ai renditet ndër më të mëdhenjtë në botë, me asete nën menaxhim me vlerë totale prej 1.2 trilionë dollarësh.
Humbja i atribuohet kryesisht rënies së çmimeve të aksioneve, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të pasurisë që fondi menaxhon. Rënien më të madhe e pësuan aksionet e kompanive të mëdha amerikane të teknologjisë. Rënia e çmimeve të aksioneve të këtyre gjigantëve e kishte shtyrë fondin në humbje edhe në fillim të vitit të kaluar.
Indeksi amerikan i bursës S&P 500 shënoi në tre muajt e parë të këtij viti rënien më të madhe që nga viti 2022, nën ndikimin e luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, e cila tashmë ka zgjatur pothuajse dy muaj, vëren Reuters.
Fondi norvegjez mban rreth gjysmën e pasurisë së tij në Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/


