Flakron Hadergjonaj përkujdeset për një transferim sensacional në Turqi
Flakron Hadergjonaj, vëllai i vogël i mbrojtësit të Kombëtares së Kosovës Florent Hadergjonaj, po ndërton një emër gjithnjë e më të respektuar në botën e futbollit, por jashtë fushës së lojës.
Derisa Florenti po shkëlqen në fushë, Flakroni është i lidhur ngushtë me futbollin në rolin e agjentit të lojtarëve, duke realizuar punë të rëndësishme në prapaskenë. Deçanasi, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, është përkujdesur ndër vite për karrierën e vëllait të tij të madh, duke ndërmjetësuar transferimet e tij te Ingolstadt, Huddersfield, Kasimpasa dhe aktualisht Alanyaspor, por edhe për futbollistë të tjerë.
Së fundmi, përmes kompanisë së tij FH Sports Management, Flakron Hadergjonaj ka realizuar një transferim të konsideruar sensacional gjatë afatit kalimtar të janarit. Bëhet fjalë për futbollistin çeçen Rakhim Chaadaev.
Sulmuesi i talentuar 20-vjeçar është produkt i Akademisë së Akhmat Grozny, ndërsa sezonin e kaluar kishte bërë një hap prapa në karrierë duke u transferuar në ligën e katërt të Rusisë, te Angusht Nazran.
Megjithatë, falë lidhjeve të shkëlqyera të Flakron Hadergjonajt me klubet turke dhe bashkëpunimit me agjentin Yilmaz Seyfi, Chaadaev ka siguruar një transferim në Ligën e Parë të Turqisë, te Hatayspor, ish-skuadra e portierit kosovar Visar Bekaj.
“Ka qenë padyshim transferimi më i veçantë, pasi të transferosh një futbollist nga liga e katërt e Rusisë në ligën e parë turke është një arritje e madhe”, ka deklaruar Flakron Hadergjonaj për Telegrafin.
“Janari është një muaj shumë i vështirë për transferime, sepse klubet janë pothuajse të kompletuara dhe ndryshimet bëhen me vështirësi. Gjithsesi, transferimin e Chaadaev e konsideroj jashtëzakonisht të veçantë”, shtoi ai.
Telegrafi e ka pyetur Hadergjonajn edhe për vëllanë e tij Florent Hadergjonaj, i cili po kalon një sezon shumë të mirë me Alanyasporin, duke realizuar pesë gola dhe katër asistime këtë edicion.
“Jam i lumtur me formën e Florentit. Ai është një nga mbrojtësit më produktivë në Superligën e Turqisë dhe po kalon një periudhë të shkëlqyer”, u shpreh Flakroni.
I pyetur për të ardhmen e Florentit, ai shtoi: “Gjithmonë ka oferta për të, edhe tani, por Alanyaspor e vlerëson jashtëzakonisht shumë. Të shohim në verë – nëse vjen oferta e duhur për klubin dhe lojtarin, atëherë gjithçka mund të ndodhë”.
Edhe pse ende i ri në moshë, Flakron Hadergjonaj po bën punë të jashtëzakonshme në menaxhimin e futbollistëve, duke ndërtuar një rrjet të gjerë kontaktesh me klube nga Zvicra, Gjermania, Austria, Turqia, Kroacia dhe Polonia. /Telegrafi/


