Fitorja s’ka alternativë
Edhe kësaj radhe drenicasit synojnë fitore, aq më parë kur dihet se ndeshja zhvillohet në fushën e tyre, por edhe për faktin se duan që ta vazhdojnë serinë e ndeshjeve të mira, pas fillimit jo aq të pëlqyer.
Kryetrajneri i ri në radhët e Drenicës, Afrim Jashari, e ka nisur mjaft mirë punën e tij në skuadër dhe është i interesuar të vazhdojë serinë prej tri ndeshjeve pa humbje.
Skuadër më të përshtatshme se Prishtina nuk ka mundur të gjejë, ndonëse e ka të qartë se e pret punë e vështirë në ballafaqim me kampionin.
“Jam i kënaqur me paraqitjet e deritashme, por shpresoj se kështu të vazhdojmë edhe me Prishtinën. Nuk do të jetë fare lehtë pasi përballë kemi kampionin, skuadrën me shumë futbollistë cilësorë, me perspektivë të madhe, madje edhe bagazh ndërkombëtar. Mirëpo, imperativi ynë është fitorja, por mbetet që këtë ta kërkojmë në fushë, me lojë të pëlqyer e cilësore, ku nuk do të mungojnë shikuesit e shumtë dhe spektakli”, tha trajneri i kuqezinjve, i cili bëri me dije se për shkak të lëndimit nuk mund të llogarisë në Hysen Tahirajn dhe Përparim Demirajn.
Në anën tjetër, edhe Prishtina ka llogaritë e veta dhe këtë e kanë shprehur qartë në konferencën për shtyp të mbajtur dje në lokalet e stadiumit.
“Drenica ka skuadër cilësore dhe kohën e fundit ka përmirësuar edhe lojën. Mirëpo ne do të mundohemi ta ndërpresim serinë e sukseseve të tyre, gjithnjë me angazhim, lojë të hapur dhe disiplinë. Kjo do të thotë se në Skenderaj shkojmë për të fituar”, tha ndihmëstrajneri i Prishtinës Fadil Berisha.
I pranishëm në konferencë ishte edhe futbollisti i ri Berat Ahmeti, i cili tha:
“Shpresoj që të luaj nga minuta e parë, por pavarësisht kësaj është me rëndësi që ne të luajmë mirë dhe të marrim tre pikët. Loja kundër Llamkosit na ka motivuar edhe më shumë dhe jam i bindur se nuk do të dështojmë, por do të kthehemi me fitore”.
Në radhët e Prishtinës edhe kësaj here do të mungojë qendërsulmuesi Liridon Latifi, i cili është kthyer në stërvitje, por nuk është ende i gatshëm për lojë.
Përveç ndeshjes në Skenderaj, sot zhvillohet edhe ballafaqimi Fushë Kosova – Ferizaj, në të cilën vendasit kërkojnë fitore për të ikur nga zona e rrezikshme, ndërkohë që udhëtuesit për të mbetur në mesin e skuadrave që pretendojnë kreun e tabelës. Tri ndeshjet tjera zhvillohen të dielën. /Zëri/Telegrafi/
Superliga - java 9
Hajvalia – Trepça ’89 1:0
E shtunë
Drenica – Prishtina
Fushë Kosova – Ferizaj
E diele
Trepça – Drita
Llamkos Kosova – Hysi
Besa – Ferronikeli
Ndeshjet fillojnë nga ora 15:00.


