Please enter at least 3 characters.

Fillon pjesa e dytë e ndeshjes Francë – Irak, pas më shumë se dy orësh pritje

Ndeshja e Kupës së Botës mes Francës dhe Irakut do të rifillojë pas një ndërprerjeje të gjatë të shkaktuar nga kushtet e këqija atmosferike dhe rreziku nga goditjet e rrufeve pranë stadiumit.

FIFA ka njoftuar se pjesa e dytë do të nisë në orën 1:50 sipas kohës lokale, ndërsa futbollistët do të dalin në fushë 20 minuta më herët për t’u ngrohur. Kjo do të thotë se ndërmjet fundit të pjesës së parë dhe fillimit të pjesës së dytë do të kalojnë pak më shumë se dy orë.

Fillimisht ishte paralajmëruar një ndërprerje 30-minutëshe, por situata meteorologjike nuk lejoi rifillimin e menjëhershëm të takimit, duke bërë që tifozët dhe ekipet të presin për më shumë se dy orë.

“Për shkak të kushteve të këqija të motit dhe rrezikut të goditjeve nga rrufeja pranë stadiumit, ndeshja e Kupës së Botës FIFA midis Francës dhe Irakut është pezulluar përkohësisht. Situata po vazhdon të monitorohet për të përcaktuar nëse do të jenë të nevojshme vonesa të mëtejshme. FIFA do të ndjekë protokollet e sigurisë të përcaktuara nga autoritetet lokale dhe ndeshja do të rifillojë sapo të jetë e sigurt për ta bërë këtë. Siguria dhe mbrojtja e të gjithë personave është përparësi e FIFA-s. Falënderojmë të gjithë tifozët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre”, thuhet në deklaratën e FIFA-s.

Ndërprerja e gjatë ka qenë një situatë e pazakontë në këtë Botëror, por organizatorët kanë theksuar se siguria e futbollistëve, stafit dhe tifozëve mbetet prioritet absolut. /Telegrafi/