FIFA publikon listat e plota të lojtarëve të ftuar në Kupën e Botës - Messi, Ronaldo dhe Ochoa rekordmen
FIFA ka publikuar të martën listat përfundimtare të 48 përfaqësueseve pjesëmarrëse në Kupën e Botës, ku figurojnë gjithsej 1.248 lojtarë, një numër rekord për turneun më të madh të futbollit ndërkombëtar.
Botërori që zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada do të ketë një përzierje të madhe përvoje dhe emrash të rinj. Sipas të dhënave të FIFA-s, 357 lojtarë kanë qenë të paktën një herë më parë në Kupën e Botës, ndërsa 891 lojtarë do ta përjetojnë turneun për herë të parë.
Në mesin e emrave më të njohur janë Lionel Messi (Argjentinë), Cristiano Ronaldo (Portugali) dhe portieri meksikan Guillermo Ochoa, të cilët pritet të paraqiten në Kupën e Botës për herë të gjashtë, duke vendosur rekord.
Lojtari më i vjetër në listat e publikuara është Craig Gordon i Skocisë, me 43 vjet e 162 ditë, ndërsa më i riu është Gilberto Mora i Meksikës, me 17 vjet e 240 ditë. Në total, shtatë lojtarë janë 40 vjeç ose më të vjetër.
Në këtë edicion do të ketë edhe debutues: Kepi i Gjelbër, Kuraçao, Jordania dhe Uzbekistani do të paraqiten në Kupën e Botës për herë të parë.
Sipas rregulloreve të FIFA-s, ndryshimet në listat përfundimtare të lojtarëve lejohen vetëm në raste lëndimesh ose sëmundjesh të rënda, dhe vetëm deri në 24 orë para ndeshjes së parë të skuadrës.
Çdo përjashtim duhet të miratohet nga FIFA. /Telegrafi./


