Fetoshi: Beogradi çdo veprim ligjor të Kosovës e paraqet si akt kundërserb
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit “OCTOPUS”, Arben Fetoshi ka deklaruar se çdo përpjekje për cenimin e integritetit zgjedhor në Kosovë duhet të trajtohet dhe ndëshkohet sipas ligjit, pavarësisht se kush qëndron prapa saj.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Fetoshi tha se Beogradi zyrtar tenton ta paraqesë çdo veprim institucional dhe ligjor të Republikës së Kosovës si akt kundër serbëve.
“Çdo veprim institucional dhe ligjor i Republikës së Kosovës kornizohet në Beograd si akt kundërserb, si akt politik kundërserb”, tha Fetoshi shkruan Telegrafi.
Sipas tij, nëse ka implikime në cenimin e integritetit zgjedhor, ato duhet të ndëshkohen në bazë të legjislacionit në fuqi.
“Mos të harrojmë që implikimi në cenimin e integritetit zgjedhor duhet të ndëshkohet. Është zbatim i legjislacionit, kushdo që e bën”, u shpreh ai.
Duke folur për rastet që lidhen me procesin zgjedhor, Fetoshi tha se procedurat gjyqësore duhet të vazhdojnë me konsistencë edhe ndaj atyre që dyshohet se kanë abuzuar me zgjedhjet e kaluara.
“Proceset gjyqësore janë procese gjyqësore. Besoj që të njëjtat duhet të vazhdojnë me konsistencë edhe sa i përket abuzuesve me historinë e zgjedhjeve që sapo i kaluam”, deklaroi Fetoshi. /Telegrafi/
Ai theksoi se cenimi i vullnetit të qytetarëve është i papranueshëm, pavarësisht përkatësisë etnike.
“Cenimi i vullnetit të qytetarëve është njësoj, si i shqiptarëve, si i serbëve”, tha ai.
Fetoshi përfundoi duke theksuar se mbrojtja e integritetit zgjedhor është domosdoshmëri për shtetin dhe demokracinë.
“Të mbrohet integriteti i zgjedhjeve sot është patriotizëm”, deklaroi Fetoshi në “Përballje Podcast”./Telegrafi/.


