Fëmijët e “dorës së dytë”
Para disa ditësh, një njoftim i Policisë Kosovare bënte të ditur se në një banesë në Prishtinë ishin gjetur 13 fëmijë të mitur nga Shqipëria. Njoftimi nuk jepte detaje të tjera, por kaq mjafton për të ngritur një alarm lidhur me fenomenin e fëmijëve që udhëtojnë të pashoqëruar, që jetojnë pa kujdesin e prindërve në kushte rruge dhe që merren me punë të ndryshme, tashmë edhe jashtë kufijve të vendit.
Njoftimi i Policisë së Kosovës kaloi në një heshtje të frikshme nga ana e gjithë institucioneve qeveritare dhe joqeveritare, sikur këta fëmijë të ishin në Kosovë për të kaluar pushimet. Ndërkohë, fakti që shumë të mitur romë nga qytetet tona, ku ka përqendrime të mëdha të këtij komuniteti, largohen periodikisht nga Shqipëria dhe shkojnë në Kosovë për të kryer punë, që nga mbledhja e kanoçeve nëpër kazanët e plehrave deri te kërkimi i lëmoshës, nuk është diçka e re, as e panjohur.
Por, megjithëse kriminale, megjithëse antiligjore, braktisja e fëmijëve dhe lënia e tyre rrugëve të një vendi tjetër mbetet po aq e rëndë, sepse ata ekspozohen edhe ndaj rreziqeve të tjera më të mëdha. Ajo që të bën përshtypje është fakti se nëse këta 13 fëmijë do të kapeshin të pashoqëruar në ndonjë vend evropian, lajmi do të merrte dhenë dhe në lëvizje do të ishte vënë gjithë makineria e strukturave shtetërore dhe joshtetërore të vendit tonë, kurse fakti se u gjetën në Kosovë duket sikur nuk bën përshtypje. Dhe kjo është fatale. Afërsia e vendit tonë me Kosovën, gjaku i përbashkët i të dy popujve tanë, ligjërisht nuk e bën fenomenin të ndryshëm nga një vend tjetër europian. Për organet tona ligjore këta fëmijë janë dërguar jashtë kufijve të vendit tonë, janë braktisur në fatin e tyre duke u shfrytëzuar.
Përveç kësaj, indiferenca e organeve tona zyrtare dhe jozyrtare bëhet më e hidhur edhe për faktin se ndaj kësaj shtrese nuk ushtrohet i njëjti presion shoqëror dhe sidomos ligjor për të ndalur fenomenin, për të përgjegjësuar prindërit e të miturve. Edhe në këtë rast ligji për komunitetin rom duhet të aplikohet i njëjtë si dhe për të tjerët. Lënia pas dore e shfrytëzimit të fëmijëve romë nga ana e organeve ligjore të vendit tonë e kthen problemin në diskriminim, në krijimin e perceptimit se komuniteti rom i përket një shtrese të dorës së dytë, për të cilët as braktisja e fëmijëve rrugëve në një vend tjetër nuk shihet nën përgjegjësinë ligjore.
Në rastin kur një roje shkolle abuzoi seksualisht me një të mitur, mobilizimi i organeve shtetërore dhe atyre joshtetërore ishte maksimal, dhe shumë mirë që ishte i tillë. Kundër abuzimit seksual me të miturit u ngritën shoqata, aleanca qeveritare dhe joqeveritare, koalicione joqeveritare për të protestuar me forcë dhe për të sensibilizuar opinionin publik. Kurse, në rastin e këtyre 13 fëmijëve të braktisur dhe të ekspozuar përballë rreziqeve të abuzimit seksual, pse jo dhe të trafikimit të tyre dhe të organeve të tyre, nuk po vihet re një mobilizim i shoqërisë, duke ditur edhe faktin se fenomeni ka kohë që vazhdon. Duket qartë për fat të keq që edhe presioni ynë publik vuan nga diferencimi i shtresave, duke reflektuar instinktivisht qëndrim ksenofob ndaj romëve. Dhe ndërkohë askush nuk lë gurë pa lëvizur kur në ndonjë vend vihet re qëndrim i tillë për shtetasit tanë joromë.
Pavarësisht se në këtë kontekst dihet që braktisja e fëmijëve rrugëve për të kërkuar lëmoshë apo për të bërë punë të rënda ka një lloj konsensusi të gjerë në shtresat e komunitetit rom, por kjo nuk do të thotë asgjë përveçse faktit që për të luftuar fenomenin duhet mobilizim më i gjerë shoqëror dhe jo vetëm ligjor. Kjo sepse në vendin tonë ka edhe aktivitete të tjera antiligjore, që po ashtu si romët në rastin konkret, kanë konsensus popullor po aq të gjerë, ndaj dhe lëvizja e levave shoqërore mbetet prioritare. Pikërisht ato leva që në rastin e 13 të miturve janë duke u marrë me strategji.
Askush në publik nuk e di se sa janë, sa personel kanë, sa para nga taksat tona dhe nga donacionet ndërkombëtare harxhojnë organizmat qeveritare, joqeveritare, kombëtare dhe ndërkombëtare, të vetme apo të organizuara në aleanca, të gjitha me objektiv vetëm mbrojtjen e fëmijëve. Nëse të gjitha këto organizata që reklamojnë se janë aty për të mbrojtur fëmijët do të renditeshin të numëruara, do të rezultonte se për çdo fëmijë nga 13 të gjetur në një banesë të Prishtinës do të interesoheshin dy deri në tri organizata. Askush nuk e di nëse janë të braktisur apo të trafikuar, nëse shfrytëzohen apo jo edhe seksualisht.
Duke qenë se Agjencia Shtetërore Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës ka për mision të monitorojë zbatimin e ligjit që garanton të drejtat e fëmijëve, si dhe të garantojë në bashkëpunim me organe të tjera shtetërore përgjegjëse dhe jofitimprurëse që veprojnë në luftën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, iu drejtova asaj për të pasur informacion lidhur me fatin e 13 fëmijëve të gjetur rrugëve të Prishtinës, pasi më kërkuan t’u drejtohem me një email, por nuk gjetën kohën të më japin përgjigje.
Po ashtu si kjo organizatë qeveritare është edhe organizata ndërkombëtare “Savethechildren” me qendër në Tiranë. Vërtet është aty për të mbrojtur fëmijët, por për rastin konkret ishte njoftuar nga media dhe se u takonte autoriteteve komptente të merren me këtë punë. Për rastin konkret edhe mund të mos i ngarkosh me përgjegjësi, por në parandalimin e fenomenit, edhe kjo organizatë mbetet pjesë e dështimit.
Po të shohim faqen në internet të UNICEF-it, aty shkruhet: “Roli i UNICEF-it në Shqipëri është të krijojë ura bashkëpunimi me shumë aktorë, në mbështetje të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, që trajton në mënyrë të barabartë qasjet parandaluese dhe reaguese. Të paktën parandalimi në rastin e fëmijëve romë në Kosovë duket plotësisht i dështuar.
Citova misionin e disa organizatave pasi po të shohësh të gjitha ato marrin përsipër “të koordinojnë” dhe ky term të kujton një thënie për punën: “Kur nuk ke se ç’bën, koordinon”.


