Federata Sindikale e Sektorit Privat kërkon sqarime nga Qeveria për pagesën prej 100 euro
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës i është drejtuar me kërkesë zyrtare Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, duke kërkuar sqarime për afatet e ekzekutimit të pagesës prej 100 eurosh, të paraparë në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.
Në kërkesën e datës 10 qershor 2026, të nënshkruar nga kryetari i FSPTSPK-së, Jusuf Azemi, thuhet se pas miratimit të kësaj pakoje nga Qeveria e Kosovës, punëtorët teknikë janë duke pranuar vazhdimisht pyetje dhe kërkesa nga anëtarësia lidhur me kohën e realizimit të pagesës.
“Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, pas miratimit të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është duke pranuar vazhdimisht pyetje dhe kërkesa për sqarim nga punëtorët lidhur me kohën e realizimit të pagesës prej 100 eurove të parapara me këtë pako”, thuhet në kërkesë.
Për këtë arsye, FSPTSPK ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të japin sqarime zyrtare se kur pritet të bëhet shpërndarja e kësaj mbështetjeje financiare për përfituesit.
Kërkesa i është adresuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve. /Telegrafi/


