Federata e Golfit e Kosovës tërhiqet nga Kampionati Evropian i Seniorëve në Qipro: Nuk pranojmë trajtim të pabarabartë
Federata e Golfit e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Seniorëve 2026, i cili nis sot në Paphos të Qipros, pavarësisht se kishte siguruar kualifikimin sportiv dhe kishte përfunduar të gjitha përgatitjet për pjesëmarrje.
Përmes një komunikate zyrtare, federata ka shprehur keqardhjen e thellë për këtë zhvillim, duke theksuar se lojtari kosovar Azer Bislimaj ishte kualifikuar për herë të dytë radhazi në këtë garë prestigjioze evropiane.
Sipas njoftimit, regjistrimi zyrtar i Federatës së Golfit të Kosovës ishte përfunduar më 23 prill 2026, ndërsa të gjitha obligimet financiare, përfshirë udhëtimin dhe akomodimin, ishin kryer me kohë.
Federata bën të ditur se Bislimaj kishte kaluar muaj të tërë përgatitjesh intensive për kampionatin, duke zhvilluar dy kampe stërvitore në Spanjë dhe pesë javë stërvitje në Travemünde të Gjermanisë nën drejtimin e trajneres gjermane Madeleine Krüger.
“Përgatitjet përfaqësojnë muaj të tërë përkushtimi, sakrifice dhe investimi personal me synimin për të përfaqësuar Kosovën me dinjitet në garën më prestigjioze evropiane për seniorë”, thuhet në komunikatë.
Federata ka vlerësuar gjithashtu angazhimin e Shoqatës Evropiane të Golfit (EGA), duke theksuar se organizata kishte bërë përpjekje serioze për të gjetur një zgjidhje që do të mundësonte pjesëmarrjen e Kosovës.
Madje, sipas federatës, EGA kishte përfshirë emrin e Azer Bislimajt dhe flamurin e Republikës së Kosovës në sistemet zyrtare të kampionatit dhe në tabelat digjitale të rezultateve, duke dëshmuar gatishmërinë për trajtim të barabartë.
Megjithatë, më 27 maj 2026, vetëm pak ditë para nisjes së kampionatit, Federata e Golfit e Kosovës është informuar se autoritetet shtetërore të Qipros, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së këtij shteti, nuk do të lejonin paraqitjen e Kosovës me simbolet e saj shtetërore në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera pjesëmarrëse.
Konkretisht, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës nuk do të mund të shfaqej në vendin e garës në të njëjtën mënyrë si flamujt e 28 shteteve të tjera pjesëmarrëse.
Federata thekson se as gjatë procesit të regjistrimit dhe as në javët pasuese nuk ishte njoftuar për ekzistimin e një kufizimi të tillë, duke shtuar se informacioni u komunikua vetëm pasi të gjitha përgatitjet sportive, organizative dhe financiare kishin përfunduar.
“Sporti duhet të jetë një platformë e respektit, barazisë dhe mirëkuptimit ndërmjet kombeve. Kosova nuk po kërkonte trajtim të veçantë. Kërkonim vetëm të njëjtin trajtim që iu ofrua 28 shteteve të tjera pjesëmarrëse”, thuhet më tej në reagim.
Për këtë arsye, Federata e Golfit e Kosovës ka vendosur të mos autorizojë pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të Seniorëve 2026, duke theksuar se nuk mund të pranojë pjesëmarrje në gara ndërkombëtare pa të drejtën për të përfaqësuar shtetin me identitetin dhe simbolet e tij zyrtare.
Pavarësisht zhgënjimit, federata ka riafirmuar përkushtimin për zhvillimin e golfit në Kosovë dhe bashkëpunimin me institucionet evropiane dhe botërore të këtij sporti, duke shpresuar që situata të ngjashme të mos përsëriten në të ardhmen. /Telegrafi/


