Eureka... Teoritë e Darvinit në Maqedoni
Në një kohë kur shkencëtarët modernë dhe teologët sjellin mijëra argumente me tendencë për të rrëzuar teoritë e Darvinit, sipas të cilave ka vepruar diktatori Adolf Hitler, Maqedonia dhe Qeveria e saj dita ditës na bën të bindemi se kjo teori ndoshta qenka shumë e saktë. Çarls Darvin, pas ekspeditës së tij dhe hulumtimeve disa vjeçare kishte konkluduar se më të fuqishmit mbijetojnë duke u ushqyer me më të dobëtit. “Lufta për ekzistencë” në planetin tokë, sipas Darvinit, i zhduk të dobëtit për të mbijetuar ata më të “fuqishmit” dhe më të “mëdhenjtë”.
Që nga pavarësimi i Maqedonisë nga ish Republika Federative e Jugosllavisë, ky shtet u bë një shembull i pakontestueshëm ku jo vetëm shtazët, por edhe njerëzit bëjnë luftë për ekzistencë, ndërsa më të fuqishmit, ata që kanë pushtetin dhe sistemin, ekzistojnë duke i “ngrënë” ata më të “dobëtit”. Vrasje për të gjithë ata që shpresuan se do të bëjnë kryengritje dhe do të fitojnë diç nga ajo, burgosje për të gjithë ata që thanë një fjalë kundër sistemit e pushtetit, bile edhe për ata që në vitin 1994 thanë se shqiptarët duhet të studiojnë në gjuhën e tyre amtare.
Për të mos shkuar më larg, në vitin 2001 shqiptarët u deshtë të kapin armët dhe të fillojnë luftën për të drejta, luftën për status apo më drejt thënë “luftën për ekzistencë”. Kështu të paktën e quajtën ata që e udhëhoqën këtë luftë e që fillimisht patën deklaruar se është luftë për pavarësi, luftë për ndarje e për bashkim kombëtar. Përballë kërkesave të shqiptarëve dhe ushtarëve për të drejta (UÇK-së), shteti armatosi deri në dhëmb të gjithë potencialin luftarak dhe ndezi makinerinë më të rëndë ushtarake, nga motoçikletat e policisë e deri te aeroplanët rus “Suhoj”.
U krijua vërtetë një luftë për ekzistencë. Do të ekzistojnë shqiptarët si qytetarë të barabartë në këtë shtet, apo shteti monoetnik ekskluzivisht i sllavo-maqedonasve duke mos pranuar në bashkë-udhëheqje asnjë etnitet tjetër. Përfundoi lufta dhe të gjithë shpresuan se këtu përfundoi gjithçka. Por, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit në të vërtetë ishim gënjyer kur menduam se kapitulloi nacionalizmi dhe shovinizmi shtetëror dhe mentaliteti i politikanëve dhe qytetarëve maqedonas të cilët insistonin se shteti ishte vetëm i tyri dhe askush tjetër.
Hakmarrja dhe dhuna e më të “fuqishmëve” ndaj më të “dobtëve” vazhdoi edhe pas vitit 2002. Njëjtë si në xhungël ku ujku dhe dreri nuk mund të jetojnë bashkë, edhe në Maqedoni, ishte e pamundur të takohen sy në sy ata që në vitin 2001 shiheshin përmes dylbive dhe fokusit të snajperit. Ata që vazhduan edhe pas vitit 2001 të mbajnë shtetin në dorë, maqedonasit, për të siguruar ekzistimin e ideologjisë dhe patriotizmit të tyre të pa definuar (maqedonas sllav apo antik), vazhduan të godasin shqiptarët në të gjitha format. Disa u vranë, disa u burgosën, e disa të tjerë u internuan, kush duke u arratisur nga kriza ekonomike e kush nga dënimet me burg të përjetshëm.
Për të mos mjaftuar kjo, struktura “të errëta”, ende të pa qartësuara filluan me skenarët e llojit “Brodec”, “Tanushë”, “Brezë”, Vaksincë”, “Haraçinë”, “Kondovë” dhe së fundmi “Radushë”. Gjatë këtyre dhe shumë aksioneve të tjera u vranë dhe u arrestuan pikërisht ata të cilët në vitin 2001 kishin marrë pjesë në “luftën për ekzistencë”. A thua dhe vrasja e burgosja e tyre ishte vazhdimësi e kësaj luftë, mu sipas rregullave të Darvinit: “I fuqishmi e han të dobëtin”.
Edhe Teoria e Evolucionit u dëshmua në Maqedoni. Partitë politike shqiptarë ditën të evoluojnë edhe më mirë se siç i kishte parashikuar vetë Darvini. Në fillim, Partia për Prosperitet Demokratik, një parti e cila insistonte të jetë filiali i LDK-së djathtiste të Kosovës, u shndërrua shumë shpejt në një parti e cila i duartrokiti edhe Kushtetutës monoetnike të Maqedonisë edhe Qeverive të njëpasnjëshme gjersa vrisnin shqiptarë në Reçicë, Ladorisht, Bitpazar dhe Gostivar.
Të pakënaqur nga evoluimi i kësaj partie, mu sipas rregullave të Darvinit, në skenën politike shqiptare doli një “lloj” i ri politik, Partia Demokratike Popullore. Më vonë nga PPD-ja e padefinuar doli Partia për Prosperitet Demokratik Shqiptar e cila bashkë me PDP-në u bashkuan dhe themeluan Partinë Demokratike Shqiptare. Mirëpo, kulminacioni i evoluimit erdhi pas vitit 2001. Nga ish luftëtarët e “luftës për ekzistencë”, lindi një mutacion politik i cili gjenetikisht ishte përzier.
Krerët e kësaj partie kishin dalë nga lufta e cila shpesh quhej si çlirimtare e kombëtare, ndërsa nga pala tjetër etiketohej si nacionaliste dhe irredentiste. Për të hedhur poshtë këto etiketimet e fundit, krerët e partisë që thirrej se ka dalë nga lufta, Bashkimi Demokratik për Integrim, evoluuan dhe për disa muaj, nga një brum revolucionarësh e ushtarakësh, lindi lloji i ri qenies politike, integristët. Mu ashtu siç e kishte definuar edhe vetë Darvini evoluimin e qenieve të gjalla, BDI nga një grup njerëzish që në fillim krijuan përshtypjen se janë revolucionarë e çlirimtarë të kombit, u shndërrua në një parti majtiste, liberale dhe pacifiste.
Ashtu siç kishte thënë Darvini se delfinët e kanë prejardhjen prej deleve e që njerëzit e kishin vështirë ta besojnë, mu ashtu na dolën integristët dhe liberalët e ri, nga një grup “revolucionarësh” dhe “patriotësh”. Këtu e kam fjalën për krerët e kësaj partie, pasi ata që nuk evoluuan dhe që kishin hyrë në luftë si revolucionarë dhe vazhduan të jetojnë si të tillë, o nuk jetuan gjatë o jetojnë të mbyllur brenda katër mureve.
Një numër i vogël i atyre që nuk evoluuan vazhdojnë të jetojnë jashtë burgjeve por me vështirësi të mëdha, duke u përballur për çdo ditë me ligjet e xhunglës. Ata që dikur udhëhiqnin dhe insistojnë se kanë filluar luftën vetëm pse kishin qenë të pakënaqur nga kushtetuta, sot thonë se janë kundër luftës dhe çdo forme tjetër të dhunës edhe përkundër faktit se sot kemi shumëfish më shumë padrejtësi dhe qindra të vrarë e të burgosur pa dëshmi. Janë pikërisht ata që thonë se luftuan për të drejta dhe ndryshime politike e jo për ndryshime kufijsh, ndërsa sot i dëgjojmë duke thënë se nuk e arsyetojnë luftën për qëllime politike. A nuk ju duket kjo evolucion Darvinist?


