Eminem i kërkoi ndjesë publike të ëmës për këngën e dikurshme fyese - nuk e interpreton më
Reperi i njohur, Eminem, ka pasur një marrëdhënie të ndërlikuar dhe shpesh të trazuar me nënën e tij, Debbie Nelson.
Një nga momentet më të debatueshme në karrierën e tij ishte publikimi i këngës “Cleanin’ Out My Closet” në vitin 2002, pjesë e albumit “The Eminem Show”.
Në këtë këngë, e cila u kthye menjëherë në hit, ai e sulmoi ashpër nënën e tij duke përdorur fjalë fyese dhe akuza të rënda, mes tyre edhe pretendime për përdorim të medikamenteve dhe sjellje abuzive.
Kënga pati shumë sukses mes fansave, por në të njëjtën kohë thelloi konfliktin mes tij dhe të ëmës.
Debbie e paditi djalin për shpifje dhe fyerje në vitin 1999, duke kërkuar 10 milionë dollarë, por çështja u zgjidh në 2001 për 25 mijë dollarë.
Megjithatë, me kalimin e viteve, Eminem ndryshoi qasje.
Në vitin 2013, ai publikoi këngën “Headlights”, pjesë e The Marshall Mathers LP 2, ku i kërkoi ndjesë nënës së tij për të gjitha tekstet fyese të së kaluarës. Ai pranoi se në kohën kur shkroi “Cleanin’ Out My Closet” ishte i zemëruar dhe i lënduar, por se e kishte tepruar.
Videoklipi i këngës “Headlights” e tregoi këtë pajtim nga këndvështrimi i nënës, duke përfunduar me një skenë prekëse ku ajo e përqafon të birin. Pas kësaj periudhe, Eminem ndaloi së performuari “Cleanin’ Out My Closet” dhe madje ka thënë se ndien siklet sa herë që e dëgjon në radio.
Në dhjetor të vitit 2024, Nelson ndërroi jetë në moshën 69-vjeçare, pas komplikacioneve nga kanceri i mushkërive.
Në retrospektivë, historia mes Eminem dhe nënës së tij përfaqëson një udhëtim nga dhimbja dhe zemërimi i hershëm drejt pajtimit dhe faljes, ku arti i tij shërbeu si pasqyrë e plagëve, por edhe e shërimit. /Telegrafi/


