Please enter at least 3 characters.

Emërtimi i Dr. Rexhep Bojës për ambasador në Riad, është nder i madh për Kosovën!

Reagim ndaj shkrimit “Kleriku ambasador” të Ndue Ukaj

Emërtimi i figurës së ndershme, të Dr. Rexhep Bojës, si i ngarkuar me punë për përfaqësimin e Republikës së Kosovës në Riad të Arabisë Saudite, është një lajm i mirë, madje një lajm shumë i mirë për popullin dhe shtetin e ri të Kosovës dhe për shqiptarët në përgjithësi; pasi me këtë po fillon edhe hapja e akreditimit të ambasadorëve të tjerë të Kosovës në vendet islame.

Vetëm për një njeri, të quajtur me emrin Ndue Ukaj, emërtimi i Dr. Rexhep Bojës për ambasador në Riad të Arabisë Saudite, shtet në të cilin gjenden vendet e shenjta Islame, është lajm i keq, madje “lajm shumë i keq” dhe “jashtëzakonisht negativ”, siç e quajti ai para dy dite në shkrimin e tij të titulluar “Kleriku ambasador”; shkrim ky, i cili nuk qëndron as edhe në titull, sepse Islami nuk e njeh klerikalizmin.

Derisa të gjithë qytetarët e Kosovës e priten jashtëzakonisht mirë veprimin e presidentit Fatmir Sejdiu dhe të kryeministrit Hashim Thaqi për emërtimin e Dr. Rexhep Bojës si ambasador i Kosovës në Riad të Arabisë Saudite; Ndue Ukaj, ndërkaq, del dhe i quan krerët e shtetit naiv, vendimin e tyre absurd dhe politikën e tyre çoroditëse dhe antikushtetuese. Por duket se fjala çoroditje që i ka mbetur ende në kokë, Ndue Ukajt ia ka gërryer dhe po ia gërryen trutë, madje më të madhe, për faktin e çoroditjeve pedofilike që po ndodhin në Kishën katolike prej papës lartë e teposhtë. Prandaj zë vend fjala çoroditje edhe në këtë shkrim banal e çoroditës. Por kjo çoroditje e Ndue Ukajt nuk është e re, por po vazhdon kësaj radhe edhe ndaj figurës së ndritshme dhe të respektuar, të Dr. Rexhep Bojës.

Akreditimi i tij për ambasador në Riad, Ndue Ukajt nuk i mjafton të thotë vetëm “lajm i keq”, por e thekson duke thënë; “lajm shumë i keq”, dhe “jashtëzakonisht negativ” gjuhë kjo e vrazhdë, urrejtëse, fyese dhe jashtë mase ekstreme -si zakonisht. Kështu është gjithmonë me këtë njeri, që vetës i thotë intelektual. Mirëpo, të qenit intelektual është krejt diçka tjetër, nga ajo se në ç’mënyrë sillet ai. Njerëzit që i përcjellin ngjarjet aktuale, e dinë se, sa herë që nga vendet islame ka ndonjë lajm të mirë ose shumë të mirë për shqiptarët dhe për shtetin tonë të ri, për Ndue Ukajn ajo përbën lajm të keq, madje lajm shumë të keq, sikur edhe me rastin e Dr. Rexhep Bojës. Ata që nuk e njohin Ndue Ukajn, kjo është gjuha e tij universale. Ai nuk njeh gjuhë tjetër, ta zëmë atë të tolerancës, dialogut e mirëkuptimit në raport me Islamin, besimtarët mysliman dhe se fundi me Dr. Rexhep Bojën.

Është lajm shumë i keq për Ndue Ukaj, sepse presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaqi me përzgjedhjen e Dr. Rexhep Bojës për përfaqësues në Riad ia kanë qëlluar plotësisht. Dr. Rexhep Boja përveç që është njeri i përzemërt dhe i dashur anë e kënd Kosovës dhe në pjesët tjera të trojeve shqiptare, ai po ashtu është njeri i respektuar dhe shumë i njohur në vendet islame. Kjo do t’ia mundësojë dhe do t’i garantojë atij të arrijë rezultate shumë të larta në aktivitetin e tij të merituar politik dhe diplomatik në Riad, që do t’i sjellë shumë të mira Kosovës dhe popullit të saj dhe shqiptarëve në përgjithësi. Dhe pikërisht kjo arritje është “lajm shumë i keq” dhe “jashtëzakonisht negativ” për Ndue Ukajn.

Në bazë të kësaj shihet qartë se përparimi dhe zhvillimi i Kosovës në përgjithësi, por edhe në rrafshin e hapjes se ambasadave të reja të Kosovës në vendet që e kanë njohur pavarësinë e saj, Ndue Ukaj nuk u gëzohet dhe nuk i intereson aspak; sigurisht edhe për arsyen tjetër, sepse në pjesën më të madhe të kohës jeton në Suedi, pra shumë larg Kosovës. Artikulimi i tij fyes dhe i vrazhdë në shkrimin e tij “Kleriku ambasador” tregon dëshirën e tij të flaktë që, në vend të figurës së denjë të Dr. Rexhep Bojës, të vihej ndonjë njeri krejtësisht i padenjë, në mënyrë që misioni diplomatik i tij të dështojë dhe kështu Ndue Ukaj të pranojë “lajme sa më të mira” për vete.

Në fakt, Ndue Ukaj nuk ka dashur fare që presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaqi, të akreditojnë ndonjë përfaqësues në vendet e shteteve islame, aq më pak Dr. Rexhep Bojën. Me fjalë tjera, sipas Ndue Ukajt, kjo domethënë se në vendet Islame nuk duhet të hapen ambasada dhe as të akreditohen ambasadorë, pavarësisht se edhe ato shtete e kanë njohur dhe e kanë përkrahur Kosovën para- dhe pasluftës, si dhe po ashtu në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe po vazhdojnë ta përkrahin edhe në të tashmen.

Kështu, emërtimi i Dr. Rexhep Bojës ambasador në Riad, përbën një goditje të rëndë për mendësinë e ngushtë, të cekët dhe ekstreme të Ndue Ukajt. Ai nuk heziton ta keqinterpretoj skajshmërisht kushtetutën e Kosovës dhe Dr. Rexhep Bojën së quajturi klerik, edhe pse ai e di shumë mirë se Islami nuk e njeh klerikalizmin dhe se as që pranon klerik, është gjë krejt e huaj për të. Në po këtë mënyrë, gjykimi i Ndue Ukaj është fund e krye i gabueshëm, ekstrem, skajshmërisht çoroditës dhe larg arsyes se shëndoshë njerëzore deri në absurditetin më të lartë. Është absurditet, sepse Franca, dihet se çfarë shteti është, por e ka ambasadën dhe ambasadorin e vet në Riad të Arabisë Saudite. Po ashtu Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Italia, Spanja, dhe vende tjera të botës e të eurozonës, edhe Suedia, shteti në cilin jeton Ndue Ukaj.

Përse atëherë Kosova të mos e këtë ambasadorin dhe ambasadën e vet në Riad të Arabisë Saudite?! Mos ndoshta se Ndue Ukaj dëshiron të tregohet edhe një herë si çdo herë tjetër ma papë se papa? Ka mundësi, por kjo vërtet është absurde. Fundja, nuk është kohë e izolimit, siç ishte koha e sistemeve moniste dhe diktatoriale; as e dhunës, e shtypjes apo e inkuizicionit, por është kohë e tregjeve të lira, e globalizmit dhe jo vetëm kohë e integrimeve euroatlantike, por edhe e integrimeve mbarëbotërore. Dhe këtu pashmangshëm bëjnë pjesë edhe vendet Islame dhe integrimi i Kosovës me këto vende.

Kështu besoj që presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaqi, do të vazhdojnë me konsolidimin dhe me ngritjen e themeleve të shtetit tonë të ri, duke akredituar në të ardhmen e afërt edhe ambasadorët e tjerë në vendet islame, si p. sh. në Jordani, e cila e ka njohur dhe e ka mbrojtur fuqishëm Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë përballë Serbisë; pastaj në Malajzi ku jetojnë e studiojnë shumë shqiptarë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare; vend në të cilin shqiptarët vërtet janë të mirëseardhur si në shtëpinë e tyre, dhe në të gjitha vendet e tjera që e kanë njohur Kosovën dhe në të tjera që priten ta bëjnë shumë shpejt.