Eliot Bujupi, shpresa e madhe e sulmit të Kosovës: Aventura e mirë në Belgjikë, synoj të jem pjesë e Kombëtares A në mars
Eliot Bujupi është një nga sulmuesit më të talentuar kosovar dhe shpresa e madhe e Kombëtares së Kosovës.
I lindur dhe rritur në Gjermani, ai vendosi të largohej nga grupmoshat e Kombëtares gjermane dhe të bashkohej me Kosovën U19 në vitin 2023.
Sot është pjesë e Kombëtares U21 dhe po tregon formë të shkëlqyer te KVC Westerlo.
19-vjeçari u huazua te Westerlo nga skuadra e madhe gjermane Stuttgart për të marrë më shumë hapësirë dhe përvojë, dhe konsiderohet si e ardhmja e klubit gjerman.
Në një intervistë për Telegrafin, Bujupi ka folur për aventurën e tij në futbollin belg, ndeshjet me Kombëtaren e Kosovës U21, por edhe ato me Stuttgartin.
Bujupi ka folur fillimisht për pritjen që i është bërë në Belgjikë, derisa ka mbetur i lumtur me nivelin e lojës dhe të seancave stërvitore.
"Gjërat kanë shkuar shumë mirë për mua deri tani në Belgjikë. Mora një pritje shumë të ngrohtë dhe mikpritëse. Niveli i lojës dhe i seancave stërvitore është shumë i lartë, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin tim si futbollist. Këtu punohet në mënyrë profesionale dhe çdo gjë është e organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme", tha fillimisht Bujupi për Telegrafin.
Ai ka treguar gjithashtu arsyet pse vendosi të bashkohej me Westerlon, edhe pse kishte oferta të tjera.
"Arsyeja kryesore ishte se diskutimet dhe ideja që më prezantuan ishin shumë të qarta dhe premtuese. U binda se ky ishte hapi i duhur për vizionin tim dhe për kapitullin e ardhshëm të karrierës. Kishte interesime nga Italia, Anglia dhe Gjermania, por në fund, së bashku me familjen time, vendosa për Westerlon. Ky ishte opsioni më i mirë për zhvillimin tim profesional", vazhdoi tutje Bujupi.
Për synimet e tij personale këtë sezon, Bujupi thotë që si sulmues që është kërkon të shënoj gola.
"Synimet e mia janë të shënoj gola dhe të siguroj minuta të mjaftueshme loje. Dua të zhvillohem dhe të rritem si futbollist, por edhe si person. Objektivi dhe ëndrra ime është të jem pjesë e Play-Off të Kombëtares në mars. Deri atëherë, do të punoj fort për të nxjerrë maksimumin nga vetja", tha Bujupi.
19-vjeçari është bërë shumë i rëndësishëm te Kombëtarja U21 e Kosovës, ku në pesë ndeshje ka shënuar tre gola, derisa vitin e kaluar ai ka debutuar edhe me Kombëtaren A.
Lidhur me Kombëtaren U21 dhe shanset për kualifikim, ai ka thënë se kanë arritur rezultate të mira dhe besojnë në kualifikim.
"Kemi arritur rezultate shumë të mira në pesë ndeshjet e fundit dhe besoj se e kemi kualifikimin ose një vend në fazën eliminatore disi në duart tona, pasi tre nga pesë ndeshjet e fundit i luajmë në shtëpi, në Fadil Vokrri. Ne e dimë cilësinë tonë dhe do të hyjmë me guxim në çdo ndeshje për të marrë rezultatet më të mira të mundshme", u shpreh sulmuesi i talentuar dardan.
Bujupi shënonte vazhdimisht golat me të rinjtë e Stuttgartit në UEFA Youth Champions League, ai i kujton me krenari ato momente.
"Shënimi i golave për Stuttgartin në Ligën e të Rinjve ishte një përjetim shumë i veçantë për mua. Shënova pesë gola në gjashtë ndeshje dhe ndihmova ekipin të arrijë në raundin e 16-të".
"Çdo gol kishte vlerën e vet, sepse çdo ndeshje ishte vendimtare. Ishte një platformë fantastike ku garonin ekipet dhe lojtarët më të mirë të asaj gjenerate", përfundoi sulmuesi dardan për Telegrafin.
Bujupi ka filluar të luaj me Westerlon, derisa pret që me klubin belg të bëhet fillimisht i rëndësishëm, të ketë minuta dhe pastaj të marrë ftesë sërish nga Kombëtarja A e Kosovës.
Talenti i madh nga Drenasi konsiderohet shpresa e madhe e Kosovës, derisa talentin dhe potencialin e ka, tani i duhet shpërthimi me gola në Belgjikë. /Telegrafi/


