Please enter at least 3 characters.

Eksodi nga Maroku - si një vendim i Spanjës nxiti valën e migrantëve

Në vitin 2030 Maroku planifikon të organizojë Kampionatin Botëror të Futbollit - bashkë me Spanjën dhe Portugalinë, dy shtete me të cilat Maroku nuk ka të përbashkët vetëm afërsinë gjeografike dhe përvoja historike.

Maroku është po ashtu një vend i pëlqyer nga turistët evropianë. Megjithatë, qindra-mijëra marokenë nuk janë të kënaqur me jetën në atdheun e tyre.

Varfëria, korrupsioni, keqqeverisja janë disa nga fenomenet që shqetësojnë njerëzit, sidomos të rinjtë. Para disa ditësh u përhap lajmi se Gjykata Kombëtare e Spanjës ka marrë vendim sipas të cilit migrantët që arrijnë përmes detit në eksklavën spanjolle Ceuta nuk do të dëbohen në Marok.

Lajmi mori dhenë e detin nëpërmjet mediave sociale. Ceuta - 83 mijë banorë - është një qytet spanjoll në bregdetin e Afrikës Veriore dhe në Rrugën e Gjibraltarit. Mijëra marokenë u vërsulën drejt Ceutes, sipas vlerësimeve mediale deri në 60 mijë. 57 prej tyre vdiqën.

Maroku dhe Spanja po përpiqen të qetësojnë gjendjen kaotike. Ndërkohë thuhet se rreth 48 mijë refugjatë janë kthyer në Marok.

Kjo dramë ka shqetësuar disa vende evropiane. Janë përforcuar kontrollet kufitare. Po bëhet thirrje për përjashtimin e Spanjës nga Zona e Schengenit. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez tha se behej fjalë për një sulm kundër integritetit të Spanjës.

Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) shkruan: “Kryeministrit Pedro Sánchez, i cili tani ankohet për një ‘sulm ndaj integritetit territorial të Spanjës’, kritikët i kujtojnë se legalizimi i fundit masiv i emigrantëve pa dokumente mund të ketë krijuar një nxitje të re për imigracionin ilegal.

Formalisht, ky argument nuk qëndron plotësisht, sepse masa vlen vetëm për personat që kanë mbërritur në Spanjë para 1 janarit 2026. Megjithatë, mesazhi që Spanja ka përcjellë me këtë vendim ka të ngjarë të jetë vënë re edhe në Afrikë: në fund të fundit, ekziston mundësia që të lejohesh të qëndrosh.

Për marokenët që synojnë të emigrojnë në Spanjë, ky është një sinjal i rëndësishëm. Maroku konsiderohet nga Bashkimi Evropian një vend i sigurt i origjinës, ndaj për shtetasit e tij shkalla e pranimit të kërkesave për azil është e ulët. Për refugjatët në kuptimin klasik të fjalës, për të cilët u krijua fillimisht e drejta e azilit, kjo kategori përfshin vetëm një numër të kufizuar rastesh.”

Gazeta tjetër gjermane “Süddeutsche Zeitung” nënvizon: „Dhe kështu shpërtheu kriza. Brenda një dite e gjysmë, dhjetëra mijëra njerëz u dyndën nga Maroku drejt territorit spanjoll.

Pamjet e migrantëve që kapërcejnë gardhin kufitar të enklavës spanjolle të Ceutës janë një simbol tronditës i asaj që pritej dhe i asaj me të cilën Evropa mund të përballet edhe në vitet e ardhshme: gjithnjë e më shumë njerëz nga Afrika nuk mjaftohen më vetëm duke ëndërruar për një jetë që u duket më e mirë, por janë të gatshëm të luftojnë për ta arritur atë“. /Telegrafi/