Please enter at least 3 characters.

Ekonomia në kolaps e Rusisë mund të çojë në rënien e Putinit

Varret e ushtarëve rusë në Luhansk të Ukrainë, në maj 2023.
Foto: Alexander Ermochenko/Reuters

Burimi: The Guardian (titulli: Putin should have accepted Trump’s deal. Now Russia’s collapsing economy could lead to his downfall)
Përkthimi: Telegrafi.com

Njerëzit në Britani që mendojnë se qeverisen nga budallenjtë, duhet t’ia hedhin një vështrim më të afërt presidentëve të Rusisë dhe ShBA-së. Vladimir Putini po e shkatërron sistematikisht vendin e vet. Lufta e zgjedhur prej tij në Ukrainë është katastrofë ekonomike, financiare, gjeopolitike dhe njerëzore për Rusinë që përkeqësohet për çdo ditë. Për arsye të errëta personale, Donald Trumpi, një rrezik tjetër kombëtar, javën e kaluar ia ofroi atij një rrugë shpëtimi. Por, Putini e refuzoi atë. Këta dy budallenj e meritojnë njëri-tjetrin.

Në tryezë në Moskë ishte një marrëveshje “paqësore” e cila, në vija të përgjithshme, shpërblente agresionin e Rusisë duke i dorëzuar pjesë të mëdha të territorit ukrainas, komprometonte pavarësinë e Kievit dhe dobësonte mbrojtjen e tij ndaj çdo sulmi të ardhshëm. Marrëveshja e Trumpit, nëse do të zbatohej me forcë, do të përçante ShBA-në dhe Evropën; do të shkaktonte ndarjen e NATO-s - ndoshta përfundimisht; do t’i jepte jetë sërish ekonomisë së izoluar të Rusisë; dhe, me shumë mundësi, do të rrëzonte qeverinë e Volodymyr Zelenskyyt.

Këto janë qëllimet kryesore të luftës së Rusisë. Por, Putini, i sëmurë nga fantazitë neo-imperialiste dhe obsesionet historike, tha “jo”. Ai beson se mund t’i marrë të gjitha, madje edhe më shumë, duke e vazhduar luftën. Ai e ka bindur idiotin Trump se fitorja e Rusisë është e pashmangshme dhe se evropianët dinakë janë luftënxitësit e vërtetë. Por, kjo është një premisë në thelb e gabuar. Faktet e forta e kundërshtojnë. Gati katër vjet më vonë, ai ende është i bllokuar në baltën dhe akullin e Donbasit. Ndërkohë, në shtëpi gjithçka po shembet.

Pas dy vjetësh me rritje të nxitur artificialisht nga shpenzimet më të larta ushtarake, të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe gazi - që përbëjnë deri në 50 përqind të të ardhurave shtetërore - kanë rënë me 27 përqind në krahasim me një vit më parë, dhe recesioni është afër. Inflacioni është rritur në tetë përqind, normat e interesit kanë kaluar në 16 përqind. Deficiti buxhetor po rritet dhe më shumë se gjysma e fondit sovran të likuiditeteve është shpërdoruar që nga viti 2022, monopolet shtetërore po përballen me borxhe të mëdha, investimet e huaja kanë rënë, kostot e importeve për mallra strategjike janë rritur me 122 përqind dhe taksat për konsumatorët po rriten - të gjitha këto për të financuar luftën e Putinit. Rusët duhet madje të paguajnë më shumë për të mbytur dhimbjen: çmimi i vodkës është rritur me pesë përqind.

Dhimbja po përkeqësohet vazhdimisht. Ukraina ka identifikuar një pikë të dobët: rafineritë, tubacionet dhe “flotën e hijeve” të cisternave të naftës që transportojnë eksporte të paligjshme. Javën e kaluar, një cisternë e tretë u përfshi nga flakët në Detin e Zi, përmes sulmeve me dronë detarë. Kievi po godet rregullisht objektivat energjetike thellë brenda Rusisë, duke shkaktuar panik dhe mungesë karburanti. Ndërkohë, dy gjigantët energjetikë të Rusisë, Rosneft dhe Lukoil, po lëkunden pasi blerësit aziatikë, përfshirë tregun jetik të Kinës, po shmangin sanksionet dytësore të ShBA-së.

Shkatërrimi ekonomik që Putini po i shkakton Rusisë, ndonëse ende në zhvillim, po shoqërohet edhe nga rënia e ndjeshme e ndikimit gjeopolitik. I bllokuar në Ukrainë, Moska mundi vetëm të shikonte teksa Siria, një aleate e çmuar në Lindjen e Mesme, iu kthye Perëndimit dhe Irani ra nga sulmet e ShBA-së dhe Izraelit. Tani edhe Venezuela kërkon kot ndihmë. Marrëdhëniet me Kinën janë përmbysur, me Rusinë e poshtëruar që është reduktuar në një partner të varur. Duke vizituar Indinë javën e kaluar, Putini u shfaq si një figurë e të varurit në një vend që - pas presionit të ShBA-së - tashmë bojkoton naftën ruse.

Narrativa “Rusia po fiton” mbështetet në gjoja suksese në fushëbetejë. Yuri Ushakov, një prej këshilltarëve të Putinit, pohoi se përparimet e fundit territoriale “ndikuan pozitivisht” në bisedimet në Moskë - pra, forcuan pozicionin e Rusisë. Është një iluzion. Fitimet janë të vogla. Pavarësisht sulmit të papritur dhe të gjithanshëm dhe avantazheve dërrmuese në njerëz dhe pajisje, Putini ka dështuar plotësisht të nënshtrojë Ukrainën - një dështim i matur në shifra tronditëse të viktimave ruse: mbi 280 mijë të vrarë apo plagosur në tetë muajt e parë të vitit 2025; rreth një milion në total.

Sa më gjatë do ta tolerojë populli rus diktatorin, vrasësin masiv të tyre - helmuesin e Solisberit, kriminelin e akuzuar të luftës - i cili, duke refuzuar çdo përpjekje për paqe, tani po kërcënon Evropën me luftë? Kjo është një pyetje kyçe. Gatishmëria e Putinit për të rrezikuar jetën dhe mirëqenien e rusëve të zakonshëm është mëse e qartë, e simbolizuar nga shpërblimet cinike për regjistrim dhe përfitimet për vdekje të paguara për vullnetarët nga zonat e varfra rurale - jeta mesatare në vijën e frontit për ta është 12 ditë. Dhe, për më tepër, këto pagesa janë ulur për shkak të shkurtimeve në buxhet.

Këto skema të parave të gjakut pasqyrojnë, siç ka argumentuar gazetari i pavarur Alexey Kovalev, një indiferencë të thellë ndaj problemeve të rrënjosura të varfërisë dhe kolapsit demografik: “Shpenzimet ushtarake maskojnë përkohësisht dekadat e neglizhencës, duke ofruar mobilitet social përmes kasaphanës”. Kur luftimet do të ndalen më në fund, ai ka sugjeruar se mund të shpërthejë një “krizë e madhe sociale” - dhe Kremlini e frikësohet kësaj, prandaj po shtyp çdo kundërshti publike edhe në internet. Për Putinin, kjo është një arsye tjetër për të mos e përfunduar luftën. Krimet e tij kundër popullit të tij mund të jenë vetë fundi i tij.

Një raport i ri nga ekspertët e LSE-së, Kundër kohës: Pse ekonomia e luftës së Rusisë po mbaron, zbuloi se ndonëse lufta “i ka përmirësuar në mënyrë dramatike” të ardhurat e 20 përqind të rusëve, ajo është tepër përçarëse në shoqëri. “Për pjesën më të madhe të rusëve, të ardhurat reale kanë rënë me 16 përqind deri në 42 përqind”, thuhet në raport. Duke përmendur kryengritjen e Wagner-it në vitin 2023, raporti parashikon se përkeqësimi i kushteve ekonomike mund të rrisë tensionet “elitave dhe regjimit nga brenda”.

Fiaskoja e fundit e negociatave nga ShBA-ja ka zbuluar edhe një herë “strategjinë” krejtësisht të çalë të Trumpit për Ukrainën. Që në fillim ai e ka përkëdhelur Rusinë, ka minuar Ukrainën duke sulmuar Zelenskyyn dhe ka ndalur furnizimin me armë. Dëshira egoiste e Trumpit për të luajtur paqebërësin dhe për të përfituar shpejt, zgjedhja e të afërmve dhe miqve të paaftë si emisarë amatorë, dhe përpjekjet për të anashkaluar dhe poshtëruar Evropën, ndihmojnë dhe inkurajojnë Putinin.

Ndërhyrja e Trumpit po e zgjat luftën. Ai duhet të largohet përpara se të shkaktojë më shumë dëme - dhe Evropa (dhe NATO) duhet të ndërhyjnë me më shumë armë për Ukrainën, hua për riparime përmes fondeve ruse të sekuestruara, sanksione të plota energjetike, përgjigje më të ashpra ndaj sabotimeve dhe sulmeve kibernetike, dhe një vendosmëri më të bashkuar për t’i dhënë fund epokës së terrorit të Putinit.

Kombit rus është tepër i madh për të dështuar. Historia e tij krenare e luftës tregon se nuk mund të mposhtet. Por, Putini mundet. Ai po humb, nuk po fiton. Dhe, herët a vonë, ashtu si carët dhe totalitarët e dikurshëm, ajo Rusi e përjetshme që ai e lavdëron, do ta përtypë dhe do ta pështyjë. /Telegrafi/

true