Please enter at least 3 characters.

Edi Rama me Noizyn në hapje të fushatës

Në çeljen zyrtare të fushatës së Partisë Socialiste, e cila u zhvillua në një atmosferë festive dhe me pjesëmarrje të gjerë, nuk munguan as surprizat muzikore. Një prej tyre ishte prezantimi i këngës zyrtare të PS-së, që u shoqërua me një emër të njohur të skenës shqiptare: Noizy.

Kryeministri Edi Rama zgjodhi të surprizojë publikun duke ftuar reperin nga Durrësi në skenë, të cilin e cilësoi si një “çun problematik”, por me ndikim dhe mesazh.

“Duke qenë se të gjitha qarqet sollën një surprizë, unë kam sjellë një çun problematik, të cilit i kërkova të vijë këtu para jush dhe nga ky shesh të flasë ashtu siç ai di, përmes fjalëve dhe tingujve” – tha Rama nga podiumi.

Ai shtoi se kishte qenë para disa ditësh në studion e Noizyt dhe kishte dëgjuar këngën e re, e cila tashmë është pjesë zyrtare e fushatës së socialistëve.

“Duke qenë se Noizy është i yni, i imi dhe i juaji, i thashë ‘hajde, se do të ngelem vetëm me zërin tim’. Dhe ja ku është këtu” – u shpreh kryeministri, duke prezantuar artistin para turmës.

Ftesa dhe përfshirja e Noizyt në një ngjarje politike të rëndësishme siç është fushata e PS-së ka ngjallur reagime të ndryshme në publik dhe rrjete sociale, ndërsa pjesëmarrja e figurave të njohura të muzikës po shihet gjithnjë e më shumë si pjesë e strategjive të komunikimit me elektoratin, veçanërisht të rinjtë.

Kënga e re e Noizyt, që tashmë mban edhe statusin e himnit zyrtar të fushatës, pritet të shoqërojë PS-në gjatë gjithë rrugëtimit zgjedhor. /Telegrafi/