Edhe pse u hap Ngushtica e Hormuzit, Trump: Bllokada ndaj Iranit do të mbetet në fuqi
Donald Trump ka reaguar sërish në platformën Truth Social.
Këtë herë, ai thotë se bllokada amerikane ndaj anijeve dhe porteve iraniane do të “mbetet plotësisht në fuqi”, pavarësisht njoftimit të Iranit se Ngushtica e Hormuzit po rihapet për lundrim.
Trump thotë se bllokada amerikane do të qëndrojë deri sa negociatat me Iranin të jenë “100 për qind të përfunduara”.
Megjithatë, presidenti amerikan shton se pret që ky proces të “ecë shumë shpejt”, pasi “shumica e pikave tashmë janë negociuar”.
“Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur dhe gati për qarkullim normal detar, por bllokada detare do të vazhdojë të mbetet plotësisht në fuqi vetëm ndaj Iranit, deri në momentin kur marrëveshja jonë me të të përfundojë 100 për qind. Ky proces pritet të zhvillohet shumë shpejt, pasi shumica e çështjeve kryesore tashmë janë negociuar”, ka shkruar ai.
Mesazhet e 79-vjeçariut sot vijnë pas raportimeve të djeshme se ai ishte i etur për t’i dhënë fund luftës, ndërsa presioni politik ndaj tij në vend po rritet.
Ndryshe, negociatat mes Iranit dhe SHBA-së u ndërprenë fundjavën e kaluar në Islamabad, dy vendet pritet t’i rifillojnë bisedimet përpara përfundimit të armëpushimit më 22 prill. /Telegrafi/


