EA po e shuan video-lojën "The Sims Mobile"
The Sims Mobile po i vjen fundi, pasi kompania EA do ta mbyllë më 20 janar, pothuajse tetë vjet pas debutimit të kësaj loje në mars të vitit 2018.
Përditësimi që mbërriti të hënën është i fundit, dhe EA ka njoftuar se do ta heqë video-lojën nga lista më 21 tetor. Meqë loja kërkon serverë online, ku ruhet progresi, nuk do të jetë më e mundur të luhet The Sims Mobile.
"The Sims Mobile dhe komuniteti i The Sims në përgjithësi janë plot kreativitet, mirësi dhe imagjinatë. Na keni mahnitur me tregimet tuaja, versionet dhe Sim-ët. Jemi krenarë që e kemi ndarë këtë udhëtim me ju dhe, si shenjë mirënjohjeje, kemi përgatitur disa surpriza ndërsa i afrohemi kapitullit të fundit të TSM-së", thuhet në njoftimin në blog.
EA do të organizojë 14 ngjarje gjatë muajve të ardhshëm në The Sims Mobile, përfshirë misione me kohë të kufizuar dhe kërkime për thesar. Nuk është më e mundur të shpenzohet para e vërtetë në video-lojë, ndonëse lojtarët mund të përdorin valutën që tashmë e kanë në video-lojë. Po ashtu, ata tani kanë energji të pakufizuar, gjë që "duhet ta lehtësojë përfundimin e projekteve dhe të mundësojë kënaqësinë në muajt e fundit të video-lojës".
Më 6 janar, EA do të çlirojë të gjitha objektet për mënyrën Build Mode dhe Create A Sim, në mënyrë që lojtarët të mund të personalizojnë plotësisht shtëpitë dhe pamjen e Sim-ëve të tyre, pak javë përpara se "të fiken dritat".
Që në vitin 2022, EA dhe studioja Maxis e The Sims kishin njoftuar Project Rene, një video-lojë që do të funksionojë në disa platforma, përfshirë edhe celularët. Kështu që nuk është çudi që kompania po dëshiron të përqendrojë përpjekjet e saj pikërisht në këtë titull.
Në çdo rast, mbyllja është një lajm i keq, veçanërisht për ata që kanë shpenzuar para në The Sims Mobile, si dhe për çështjen e ruajtjes së video-lojës.
Vendimi për ta mbyllur lojën nuk do të zbusë shqetësimet që kanë fansat e serisë – veçanërisht duke pasur parasysh komunitetin e madh LGBTQ+ të fansave – në lidhje me të ardhmen e The Sims, nëse dhe kur realizohet plani i shitjes së EA-së tek një grup që përfshin Fondin e Investimeve Publike të Arabisë Saudite. /Telegrafi/


