Please enter at least 3 characters.

“Krenari shumë e madhe për mua dhe familjen”, Rilind Nivokazi flet pas ftesës së parë nga Kosova

Sulmuesi i ri i “Dardanëve”, Rilind Nivokazi e cilësoi si krenari të madhe grumbullimin nga Franco Foda, ndërsa theksoi se çdo futbollist duhet të luftojë maksimalisht për fanellën e Kosovës në miqësoret ndaj Çekisë dhe Andorrës.

Rilind Nivokazi po jeton një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, pasi për herë të parë është ftuar nga përzgjedhësi Franco Foda te Kombëtarja e Kosovës për dy ndeshjet miqësore kundër Çekisë të dielën më 31 maj dhe ndaj Andorrës një javë më vonë në Prishtinë.

I emocionuar pas grumbullimit me “Dardanët”, Nivokazi nuk e fshehu krenarinë për këtë moment të veçantë, duke theksuar se ftesa për Kosovën është një ëndërr e realizuar jo vetëm për të, por edhe për familjen e tij.

“Krenari shumë e madhe për mua, për familjen time. Ekipi më ka pritur shumë mirë edhe stafi po ashtu. Unë jam shumë i kënaqur, ishalla është e para dhe shumë tjera”, deklaroi fillimisht sulmuesi në prononcimin e tij për faqen zyrtare të FFK-së.

Nivokazi zbuloi edhe mesazhin që Foda ua ka dhënë futbollistëve gjatë përgatitjeve për dy miqësoret, duke bërë të qartë se te Kosova nuk ka ndeshje pa rëndësi dhe se çdo lojtar duhet të luftojë maksimalisht për fanellën shtetërore.

“Trajneri na ka thënë se duhet të japim maksimumin pasi këto miqësore duhet mu përgatit për ato që vijnë mandej. Edhe prapë se prapë ne luajmë për kombëtare dhe kjo domethënë se duhet të japim gjithmonë maksimumin për këtë fanellë”, përfundoi Nivokazi.

Për sulmuesin e ri, këto ndeshje mund të shërbejnë si një mundësi ideale për ta dëshmuar veten para stafit teknik dhe tifozëve, në një periudhë kur Kosova po synon të ndërtojë një skuadër më konkurruese dhe më të fortë për sfidat e ardhshme zyrtare. /Telegrafi/