Please enter at least 3 characters.

Dua Lipa numëron orët deri në Sunny Hill Festival, këngëtarja viziton hapësirën e festivalit para nisjes

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka ndarë emocionet e saj në prag të nisjes së edicionit të shtatë të Sunny Hill Festival.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, artistja tregoi se mbrëmë vizitoi hapësirën ku do të zhvillohet festivali, për të parë nga afër përgatitjet e fundit.

Ajo vlerësoi punën e familjes së saj dhe të gjithë ekipit që kanë kontribuar në realizimin e këtij eventi.

Dua Lipa/Instagram

“Jemi rikthyer! Nuk mund ta besoj se do ta nisim edicionin e shtatë të Sunny Hill Festival. Vizitova mbrëmë hapësirën e festivalit për të parë gjithçka para se të nisë sot dhe jam jashtëzakonisht e emocionuar. Ndihem shumë krenare për familjen tonë dhe gjithë ekipin për gjithçka që kanë bërë për ta realizuar këtë festival”, shkroi Dua Lipa.

Këngëtarja zbuloi gjithashtu se dita e djeshme kishte një rëndësi të veçantë për të, pasi u bë kumbarë.

Dua Lipa/Instagram

“Mund të them se lotët nuk më janë ndalur gjithë ditën… Shihemi sonte, Prishtinë!”, përfundoi ajo.

Sunny Hill Festival nis sot në Prishtinë dhe do të zgjasë deri më 2 gusht, duke sjellë në skenë artistë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Dua Lipa do të jetë një nga emrat kryesorë të këtij edicioni, duke u rikthyer për të performuar para publikut vendas. /Telegrafi/