Please enter at least 3 characters.

Drin Govori, studenti nga Kosova në mesin e 100 studentëve më të mirë në botë

Studenti nga Kosova, Drin Govori, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm akademik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke diplomuar me rezultate maksimale në programin master për administrim biznesi në Babson College, institucioni i renditur si shkolla numër një në botë për ndërmarrësi.

Govori u nderua me titullin “Valedictorian”, një vlerësim elitë që u jepet studentëve më të dalluar të gjeneratës.

Ai përfundoi studimet me notë mesatare perfekte 4.0, pa asnjë vlerësim nën maksimumin në të gjitha lëndët, duke u renditur ndër shumë pak studentë në historinë e kolegjit që kanë arritur këtë sukses.

Drin Govori kishte shkuar për studime në SHBA si përfitues i bursës prestigjioze Fulbright Program. Gjatë periudhës së studimeve, ai u angazhua në role të rëndësishme udhëheqëse dhe akademike brenda kolegjit.

Ai shërbeu në komitetin e programeve, ku kontribuoi në vlerësimin dhe dizajnimin e programit studimor në ndërmarrësi. Po ashtu, ishte pjesë edhe e komitetit për përzgjedhjen e dekanit, një përgjegjësi që rrallëherë u besohet studentëve.

Përveç rezultateve akademike, Govori është vlerësuar edhe me çmime të shumta prestigjioze. Ai ka marrë çmimin “Roger Babson”, vlerësimi më i lartë që ndahet nga kolegji Babson, ndërsa është përfshirë edhe në mesin e 100 studentëve më të mirë në botë nga Poets&Quants.

Gjithashtu, ai është laureuar me çmimin për ndërmarrësi brendaorganizative (intrapreneurship) nga Global Institute for Intrapreneurship.

Pas përfundimit të studimeve, Drin Govori do të vazhdojë angazhimin profesional në qendrën e ndërmarrësisë “Blank Center” pranë Babson College./Telegrafi.