Draft-konkluzat e BE-së për Zgjerim: Kosovës i kërkohet Asociacioni, reforma, përparim në dialog
Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian miraton të martën konkluzionet sa i përket procesit të zgjerimit të bllokut evropian, ndërsa në pjesën për Kosovën, vendit i bëhet thirrje që ta përshpejtojë hapin në rrugën drejt reformave.
Ndër kërkesat tjera është zbatimi i marrëveshjeve të arritura me Serbinë, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, përfshirë nevojën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shkruan Evropa e Lirë.
Kosova është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim, ndonëse ka aplikuar në dhjetor të vitit 2022.
Në raportin me draft-konkluza që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, përmendet se nevoja për reforma vërehet më së shumti në forcim të administratës publike dhe sundim të ligjit, përfshirë konsolidimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e lirive themelore, sidomos lirinë e shprehjes, sektor në të cilin nuk është shënuar përparim.
Përparim thuhet të ketë pasur në luftën kundër krimit të organizuar.
Kosova lavdërohet për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit dhe më pas ato lokale më vonë gjatë vitit, marrë parasysh pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në to.
Lidhur me këtë, në draftin e konkluzave përmendet që marrë parasysh transferimin e rregullt të pushtetit në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, Këshilli përsërit dhe pret heqjen e të gjitha masave ndëshkuese që kanë mbetur.
Bashkimi Evropian pati vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Blloku evropian ka nisur heqjen graduale të tyre, por zyrtarët në Kosovë insistojnë se vazhdimi i tyre është vendim i padrejtë, meqë të gjitha kërkesat për heqjen e tyre tashmë janë plotësuar.
Në mesin e tyre situata në veri është shtensionuar, prania e Policisë afër objekteve komunale në veri është zvogëluar dhe kalimi paqësor i pushtetit në komunat me shumicë serbe është realizuar.
Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë (REL), në Pragë, ka marrë vesh nga burimet e tij se për çështjen e moslargimit të të gjitha masave kundër Kosovës është diskutuar në Bruksel javën e kaluar dhe që Franca e Italia janë mbështetëse të idesë që të largohen vetëm 50 për qind e tyre.
Por, duket se përparim në këtë drejtim nuk do të ketë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.
Sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara - GAP, masat e BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht.
Në raport, BE-ja përmend se procesi i zgjerimit ka rëndësi gjeostrategjike dhe është proces që kontribuon në paqen evropiane, sigurinë dhe stabilitetin e shekullit 21.
Këshilli u bën thirrje të gjithë partnerëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe këtë momentum për t’i marrë të gjithë hapat e nevojshëm për ta përshpejtuar përparimin në rrugën drejt BE-së.
Përveç përgatitjeve të nevojshme nga ana e vendeve kandidate, në raport përmendet edhe nevoja e përgatitjeve të vetë bllokut për të akomoduar anëtarë të rinj.
Sa u përket vendeve të Ballkanit, përmendet rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal.
“Këshilli inkurajon fuqishëm partnerët që t’i zgjidhin të gjitha mospajtimet bilaterale dhe çështjet që datojnë prej së kaluarës, në linjë me ligjin ndërkombëtar”, përmendet mes tjerash në raport.
Pritjet për dialogun Kosovë – Serbi
Në raportin me draft-konkluza, Këshilli përmend mbështetjen e plotë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Aty përmendet që të dyja palët mund të humbin mundësi të mëdha në mungesë të përparimit në normalizim.
Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel prej vitit 2011, i kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.
“Përparimi në rrugët e tyre respektive evropiane varet nga përpjekjet për t'i zbatuar plotësisht të gjitha zotimet që dalin nga Marrëveshja për normalizim e vitit 2023 dhe të gjitha marrëveshjet tjera, pa vonesa dhe parakushte”.
Mes tjerash përmendet edhe nevoja që Kosova të zbatojë marrëveshjen për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe të veprojë në përputhje me zotimet për “një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë" në përputhje me Nenin 7, siç e parasheh Marrëveshja për normalizim dhe aneksi i saj.
Pritje ka që edhe çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia, përfshirë ato të shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe edukimit, të zgjidhen në përputhje me zotimet e dialogut dhe të punohet në riintegrim të serbëve të Kosovës, nisur prej pjesëmarrjes së tyre në të gjitha nivelet institucionale.
Në njërën pikë të draft-konkluzave, në pjesën për Kosovën, vendi duartrokitet që është në linjë me politikën e Jashtme të BE-së, duke dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë.


