“Do t’i dërgoj në Kosovë” – 'plani' i Farage për ata që vrajnë dhe përdhunojnë dikë në Britani
Lideri i Partisë Reform UK të Britanisë së Madhe, Nigel Farage, ka deklaruar se personat që kanë shkuar në Britaninë e Madhe dhe kryejnë vrasje ose përdhunime duhet të dërgohen për të vuajtur dënimin në burgje jashtë vendit duke përmendur si opsion dhe Kosovën.
Në një postim në rrjetet sociale ai shkroi: “Nëse keni ardhur në Britani dhe keni vrarë ose përdhunuar dikë, do t’ju dërgoj në një burg në El Salvador, Kosovë ose diku tjetër, pa asnjë hezitim”.
Deklarata vjen në kuadër të prezantimit të planit të Reform UK për deportimin e të gjithë të burgosurve të huaj nga burgjet britanike, përfshirë mundësinë e dërgimit të tyre në vende të treta.
Farage ka qenë prej vitesh një nga zërat më të ashpër kundër emigracionit.
Ai ka kërkuar ngrirjen e emigracionit jo thelbësor, deportimin e emigrantëve që ndodhen ilegalisht në Britani dhe masa më të forta për kontrollin e kufijve, duke e bërë emigracionin një nga temat kryesore të programit të Reform UK.
Reform UK është aktualisht një nga forcat kryesore politike në Britani.
Partia e drejtuar nga Farage renditet mes partive me mbështetjen më të lartë në sondazhet kombëtare, duke konkurruar me Laburistët dhe Konservatorët.
Partia është zotuar të deportojë mbi 10 mijë shtetas të huaj që aktualisht vuajnë dënimin në burgjet e Britanisë.


