"Dikush do të pushohet nga puna", Anna Wintour fotografohet me një njollë në fustan përgjatë 'Met Gala 2025'
Të hënën në mbrëmje u mbajt Met Gala, një nga ngjarjet më të mëdha të modës, ku shumë yje të njohur ndërkombëtarë parakaluan në tapetin e kuq me krijimet më ekstravagante të dizajnerëve të njohur.
Si çdo vit që nga viti 1995, Anna Wintour – kryeredaktorja legjendare e revistës Vogue dhe mikpritësja nderi e Met Gala-s – ishte e pranishme në event. Edhe pse zakonisht ajo nuk tërheq shumë vëmendje për zgjedhjet e saj të thjeshta dhe të rafinuara në veshje, këtë herë gjithë sytë u drejtuan drejt saj për një arsye krejt tjetër: një njollë e vogël në fustanin e saj.
Anna u shfaq me një fustan elegant me ngjyrë argjendi nga Louis Vuitton, me motive lulesh, të kombinuar me një brosh të madh, disa shtresa bizhuterish dhe, natyrisht, me prerjen e saj ikonike të flokëve në stilin bob. Por, sapo shkelte në tapetin e kuq, ndjekësit në rrjetet sociale vunë re një njollë të vogël në ngjyrë të kuqe, e cila për shumicën do të kalonte pa u vërejtur — por jo për dikë si Anna Wintour, e njohur për përpikmërinë dhe perfeksionizmin e saj.
Komentet në platformën X (ish-Twitter) shpërthyen menjëherë. Shumë përdorues u shprehën të shqetësuar për fatin e atij që kishte pasur për detyrë të kujdesej për veshjen e saj. “Njollë?!!! Dikush do të shkarkohet…”, shkruante një komentues.
“Ka të paktën tre asistentë dhe askush nuk kishte një stilolaps për heqjen e njollave?”, “Më vjen keq për ndonjërin nga ekipi i saj që do të përballet me zemërimin e Annës për atë njollë”, ishin disa nga reagimet më të përhapura.
Disa të tjerë bënin humor të zi me situatën, duke shkruar: “Do të jepja gjithçka të isha një mizë në mur kur Anna ta kuptojë që fustani i saj ka njollë.” Ndërsa një tjetër komentonte: “Ju lutem, ndaloni t’ia përmendni më atë njollë — dikush do ta pësojë keq për këtë”.
Në një mbrëmje që supozohet të jetë simbol i përkryerjes estetike dhe i elegancës ekstreme, një detaj i tillë — sado i vogël — bëhet lajm. Dhe kur bëhet fjalë për Anna Wintour, edhe një njollë thuajse e padukshme kthehet në momentin më të komentuara të mbrëmjes. /Telegrafi/


