Please enter at least 3 characters.

Debutimi historik i Bashkimit me fitore - kapiteni Altin Morina flet për ndeshjen, emocionet dhe përballjen kthyese

Kapiteni i KB Bashkimi, Altin Morina, ka folur për emocionet e para të pjesëmarrjes evropiane dhe sfidën e radhës që i pret në Poloni kundër skuadrës me përvojë, Anwil Wloclawek. Në një intervistë për portalin Telegrafi, ai ka vlerësuar paraqitjen e ekipit në ndeshjen e parë dhe thekson se për të bërë surprizën në ndeshjen kthyese, duhet disiplinë e hekurt dhe kontroll i lojës.

Bashkimi i Prizrenit ka shënuar një fitore të madhe në debutimin e tij në arenën evropiane. Në palestrën e mbushur me tifozë “Sezai Surroi”, prizrenasit e mposhtën gjigantin polak të basketbollit, Anwil Wloclawek, me rezultatin 80:75.

Morina shprehet krenar për paraqitjen e bashkëlojtarëve të tij, veçanërisht të të rinjve që për herë të parë përjetuan emocionet e një gare ndërkombëtare.

Ai e sheh përballjen me Anwilin si një mundësi të çmuar për të matur progresin e skuadrës dhe për të kuptuar qartë se cilat janë standardet që kërkon niveli evropian i basketbollit.



“E dimë që na pret një sfidë shumë e vështirë në Poloni, sepse Anwili ka eksperiencë dhe luan shumë mirë para tifozëve të vet. Për ne, pika kyçe do të jetë që të jemi të disiplinuar në mbrojtje, të kontrollojmë ritmin e lojës dhe të mos humbim topa të panevojshëm. Nëse e mbajmë përqendrimin për 40 minuta, besoj se kemi shanse reale për të bërë surprizë”, ka thënë fillimisht Morina për Telegrafin.

“Jam shumë krenar me ekipin, sidomos me djemtë e rinj. Ishte hera e parë për shumë prej tyre në një garë evropiane dhe treguan karakter e kurajë. Sigurisht që kemi hapësirë për përmirësim, por energjia dhe dëshira që sollën në parket ishte një mesazh pozitiv për të gjithë”.

“Kjo na ka shërbyer si motiv shtesë. Të luash kundër një kampioni të mëparshëm të këtij kompeticioni është test i madh për ne, por njëkohësisht edhe mundësi për të matur veten. Na tregon qartë se ku duhet të punojmë më shumë dhe çfarë niveli duhet të arrijmë si skuadër”.



“Ishte një emocion i veçantë për të gjithë ne. Në fillim ndoshta pati pak nervozizëm, që është normale, por shumë shpejt u shndërrua në motiv shtesë. Kishim dëshirë të tregonim se edhe nga Kosova mund të vijë një ekip që lufton denjësisht në arenën evropiane. Kjo na ka dhënë besim dhe tani jemi edhe më të përgatitur për ndeshjen e radhës”, përfundoi kapiteni i Bashkimit.

Ndryshe, ndeshja kthyese në Poloni zhvillohet të mërkurën e ardhshme, më 1 tetor. /Telegrafi/

true