Debatet, kjo rrugë e keqe
Konfliktet në të cilat kundërshtarët janë duke ndryshuar motivet e njëri-tjetrit, vlerat, njohurit dhe kuptimin e ndonjë problemi në realitetin strikt mund të quhen me termin “debat”.
Mirëpo jo të gjitha shkëmbimet e fjalëve apo të mesazheve që do ta etiketojnë ndonjë ngjarje apo person mund të quhen debate të vërteta apo debat i mirëfilltë, sepse tash ne këto zgjedhje është duke u parë një veprim I tillë madje është duke reflektuar shumë irrituese në popullatë.
Në përgjithësi, dy apo më shumë parti politike të rangut të lartë nuk përpiqen t’i ndryshojnë mendjen njëra-tjetrës për temën e debatit e cila u është caktuar atyre para opinionit apo për funksionalitetin e shtetit, por ato janë të angazhuara në lojën politike në të cilën e rivalizojnë njëra-tjetrën për të lënë mbresa sa më të mira tek juria e debatit, apo më shumë tek opinioni që e përcjellin para mediumeve publike, përmes etiketimeve në formën më të ulët si morale ashtu edhe profesionale.
Në vitet e 70-ta, qëndrimet e kryetarëve amerikanë Nikson dhe Karter, ishin që të shkohet drejt debateve të mirëfillta në realitet. Qëllimi ishte që populli amerikan të jetë i informuar mirë për veprimet e administratës së shtetit dhe pikërisht krijimi i debateve të vërteta para mediumeve elektronike ka sjellë rezultate konkrete.
Në Kosovë, edhe pse dhjetë vite kaluan nga çlirimi i vendit, ka mungesë të mirëfilltë të debatit, sidomos para opinionit publik. Ka mungesë sepse nuk kuptohet esenca dhe suksesi i debatit për ta arritur qëllimin. Thënë shkurt, debati nuk kuptohet në atë mënyrë që të shprehet mendimi dhe propozimi, analiza e ndonjë problemi, zgjedhja e opsionit më të mire, apo edhe tregimi i realitetit që na rrethon.
Duhet cekur se, pikërisht politika e pasluftës, përmes debateve jotrasparente para qytetarëve, ka shkuar drejt rrugës së gabuar. Çdo herë është bëre interpretimi i gabuar i së keqes, për atë arsye RTK-ja duhet të ketë qasje tjetër nga ajo që kanë për qëllim subjektet politike në Kosovë.
Shembull konkret mund ta marrim se, pikërisht në Kosovë, kurrë nuk ka pasur debat të hapur për arritjet (nëse kanë qene arritje), aq më pak, kurrë nuk është zhvilluar ndonjë debat për çështjen e sovranitetit, simboleve, përfaqësimeve diplomatike e shumë sfera te tjera.
Debati pa marrë parasysh se a është duke u zhvilluar vetëm mes moderatorit dhe ndonjë personaliteti, apo mes grupeve të shumta të interesit. ka një rol sikurse ne sistemet e gjykatave, paditësi apo këshilli mbrojtës - nuk përpiqen të bindin njëri-tjetrin dhe as avokatët e palëve kundërshtare në të drejtën civile, mirëpo në secilin rast ata përpiqen që ta fitojnë çështjen para gjykatësit apo trupit gjykues, duke influencuar apo duke ofruar prova bindëse para gjykatës.
Por, debatin nuk duhet lidhur vetëm në fushën e drejtësisë, sepse debati përfshin të gjitha sferat e jetës, aq me pak me drejtësinë dhe me shumë me sferën politike.
Pra pikërisht kjo është edhe esenca e debatit që të jepet mundësia ti sqarosh gjërat pozitive dhe negative para opinionit me mjeshtëri diplomatike, t’i analizosh problemet, t’i zgjedhësh solucionet me të mira, të gjinden informatat lidhur me aspektet e problemit, dhe së fundi, t’i mbetet opinionit t’i vlerësojë arsyetimet.
Në debat nuk është e rëndësisë që kundërshtarit tënd politik, ekonomik apo kulturor, siç u cek më lart, t’ia ndryshosh mendjen lidhur me temën apo me qëllimin që e ke, mirëpo është e rëndësisë të qiten në pah para publikut të larat dhe të palarat e kundërshtarit (sidomos në politikë, pasi në Kosovë çdo gjë është e politizuar) dhe po ashtu kundërshtimi i qëllimeve dhe vlerësimeve të rivalëve.
Thënë thjeshtë, në Kosovë nuk ka debate që do të mund të arsyetoheshin para publikut, apo nuk ka debate të mirëfillta, sepse nuk kuptohet si rivalitet që do të lejonte ndryshimin e motivit dhe ndryshimin e imazhit por kuptohet vetëm si një lloj rivali i egër.
Që te mund te komentohet ardhmëria dhe rruga nëpër të cilën do të lëviz një shtet ose vend, duhet së pari te shihet se cili është pozicioni i parë prej nga niset për në atë rrugë.
Këto veprime nuk shihen nga aspekti profesional, sepse nuk duhet vetëm shikuar akuzat dhe kundër akuzat ndaj njeri tjetrit, por edhe vizionin në cilin njëri kandidat e përcakton.
Fatkeqësisht, në Kosovë kjo rrugë e vizionit ka humbur, por angazhimi i shoqërisë civile në këtë aspekt mund të thuhet se ndoshta do të gjendet rruga për krijimin e debateve me vlera.
(Autori është avokat nga Ferizaj. gazrexhepi@yahoo.com)


