Çfarë tregon moti juaj i preferuar për ju: Nëse doni shiun, breshrin apo acarin, jeni një tip i veçantë
Moti i preferuar zbulon mënyrën si ecni në jetë, nëse kërkoni qartësi, siguri, forcë apo ngrohtësi
A ju qetëson shiu? Apo mezi prisni ditët me diell dhe erën e pranverës? Që nga kohët më të hershme, njerëzit kanë lexuar motin si një gjuhë të natyrës. Dielli, shiu, mjegulla apo bora nuk ishin thjesht dukuri atmosferike, por simbole të forcës, ripërtëritjes, heshtjes apo ndryshimit.
Edhe sot, megjithëse jetojmë në një botë të përshpejtuar, raporti ynë me motin mbetet thellësisht personal. Moti i preferuar nuk na përcakton plotësisht, por zbulon mënyrën se si lëvizim nëpër jetë: a kërkojmë qartësi apo mister, stabilitet apo sfidë, ngrohtësi apo vetmi krijuese.
Moti nuk është vetëm sfondi i ditëve tona. Ai ndikon në humorin, ritmin e mendimeve dhe në mënyrën si e përjetojmë botën përreth. Disa njerëz zgjojnë energjinë bashkë me rrezet e para të diellit, ndërsa të tjerë ndihen më gjallë kur bie shi ose kur qyteti hesht nën borë.
Prirja jonë ndaj kushteve të caktuara atmosferike shpesh pasqyron peizazhin tonë të brendshëm, mënyrën si mendojmë, si ndiejmë dhe si lidhemi me veten dhe me të tjerët. Ky nuk është një test klasik personaliteti, por një lexim simbolik i karakterit, i frymëzuar nga vëzhgime të lashta sllave mbi natyrën dhe njeriun, transmeton Telegrafi.
Nëse ju pëlqen mjegulla
Mjegulla zbeh kufijtë dhe krijon hapësirë për reflektim. Ata që e duan vlerësojnë paqartësinë dhe thellësinë, nuk nxitojnë në përfundime dhe ndihen rehat në zona gri. Janë vëzhgues të heshtur, që lexojnë nënkuptime, shenja të vogla dhe atë që nuk thuhet.
Nëse ju pëlqejnë retë
Qielli me re u pëlqen njerëzve që kërkojnë qetësi dhe harmoni të brendshme. Ata dinë të ruajnë ekuilibrin mes veprimit dhe pushimit, të ndalen në kohë dhe të shijojnë momentin. Stabiliteti emocional dhe maturia janë forcat e tyre kryesore.
Nëse ju pëlqen shiu
Dashuria për shiun tregon aftësinë për të përballuar sfidat dhe për të gjetur frymëzim në vetmi. Shiu i imët tërheq natyra të buta dhe të ndjeshme, ndërsa stuhitë dhe shtrëngatat i magjepsin ata emocionalë, energjikë dhe të guximshëm. Ata që pëlqejnë dukuri të rralla si breshri nuk i frikësohen ndryshimeve, përkundrazi, i përqafojnë ato me kureshtje dhe spontanitet.
Nëse ju pëlqen bora
Bora sjell ndjesinë e magjisë, nostalgjisë dhe qetësisë. Njerëzit që e duan janë shpesh romantikë, sentimentalë dhe të lidhur me kujtimet, traditat dhe ngrohtësinë e marrëdhënieve njerëzore. Stuhitë e borës, nga ana tjetër, simbolizojnë forcë dhe vetë-mjaftueshmëri, një prirje drejt reflektimit të thellë dhe pavarësisë.
Nëse ju pëlqen acari
Acari, ngricat në xhama dhe ajri i ftohtë e i kthjellët i tërheqin ata që kërkojnë qartësi dhe rend. Këta njerëz janë të disiplinuar, të fokusuar dhe praktikë. Forca e tyre qëndron në vetëkontroll dhe në aftësinë për të ruajtur qetësinë edhe në kushte të vështira.
Nëse ju pëlqejnë ditët me diell
Dielli tërheq njerëz optimistë, të hapur dhe vetëbesues. Ata janë komunikues, aktivë dhe energjinë e drejtojnë nga jashtë, drejt njerëzve, ngjarjeve dhe lëvizjes. Drita për ta është simbol i jetës, shpresës dhe rilindjes së vazhdueshme.
Nëse ju pëlqen vapa
Ata që e duan vapën jetojnë intensivisht dhe pa hezitim. Janë spontanë, emocionalisht bujarë dhe të prirur ndaj pasionit. Kërkojnë aventura, përvoja të reja dhe shijojnë jetën në ritëm të lirë, me ide të shpejta dhe energji të hapur. /Telegrafi/


