“Çdo ndryshim në lëkurë që zgjat mbi 3 javë kontrollojeni”, kirurgu Komoni tregon si e kishin trajtuar një rast të një pacienti me tumor
Specialisti i kirurgjisë maksillo-faciale, doktor Shkëlzen Komoni në episodin e 74-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital ka folur për problemet më të shpeshta të fytyrës dhe nofullës, rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe ndikimin e estetikës në vetëbesimin e njeriut.
Doktor Komoni sqaroi se kirurgjia maksillofaciale merret me trajtimin e traumave, tumoreve, anomalive të lindura, infeksioneve dhe deformimeve të fytyrës dhe nofullës.
Komoni në podcastin “Shëndeti në rend të parë” ka treguar një rast të një pacienti me tumor, gjersa ka potencuar rëndësinë e kontrolleve të hershme e sistematike.
Ai theksoi se një tumor i lëkurës fillon me paraqitje milimetrike.
“Kam pas rast kur komplet hunda ka qenë tumor...paramendoni qysh ka mujt mu ushqy...por, fatmirësisht është bë zgjidhje, ka qëllu tumor që nuk e ka natyrën agresive...dhe ri-konstruktimi është bë si duhet, është dashur t’i amputohet komplet hunda. D.mth. prej një milimetri e ka pru rastin aty, me siguri aty para daljes së atij tumor masiv kanë qenë 3, 4 vjet...”, tha ai.
Doktori tregoi se si pacientit i është ri-konstruktuar një hundë komplet e re.
Ai bëri apel qytetarëve që për çdo ndryshim në lëkurë që zgjat mbi 2 3 javë duhet të orientohen te profesionisti. /Telegrafi/


