Britania e Madhe pritet të heqë kufizimet nga 19 korriku
Ministri i ri i Shëndetësisë në Britani, Sajid Javid, ka paralajmëruar hapjen e plotë të Britanisë më 19 korrik.
Javid, i cili do të zëvendësojë Mat Hancook që u përfshi në një skandal seksual para një jave, tha për “Mail on Sunday” se mënyra më e mirë për të mbrojtur shëndetin e britanikëve është heqja e kufizimeve të COVID-19 që janë ende në fuqi.
“Argumenti ekonomik për hapjen e vendit tashmë dihet, por për mua argumentet shëndetësore janë po aq urgjente”, tha Javid.
Nga 19 korriku, britanikët e vaksinuar me dy doza do jenë në gjendje të udhëtojnë drejt vendeve të listës së verdhë, pra në gjithë vendet e Evropës pa qenë nevoja të karantinohen në kthim për dhjetë ditë, siç është momentalisht.
Mbajtja e maskave do të jetë mbi baza vullnetare, përfshirë edhe transportin publik me përjashtim të spitaleve dhe qendrave shëndetësore.
Ndërkohë, shkollat nuk do të mbyllen edhe nëse ndonjë fëmijë do rezultojë i infektuar me COVID-19.
Sakaq, restorantet, kafenetë dhe dyqanet nuk do u kërkojnë më klientëve të ofrojnë të dhënat e tyre personale dhe të regjistrohen kur i frekuentojnë ato.
Qeveria britanike do t’i shqyrtojë masat javën e ardhshme dhe mendohet se më 12 korrik, një dite pas finales se Uemblit, ato do të bëhen publike.
Ndryshe, Britania e Madhe është ndër vendet e para në botë për nga vaksinimi, ku 85.7 për qind e të rriturve kane marrë dozën e parë, ndërsa 63.4 të dyja dozat. /kp/Telegrafi/


