Britania dënon vendimin e Izraelit për pushtimin e plotë të Gazës
Kryeministri britanik, Keir Starmer ka reaguar ndaj vendimit të kabinetit të sigurisë së Izraelit.
Starmer tha se vendimi për të përshkallëzuar më tej ofensivën në Gaza “është i gabuar” dhe i ka bërë thirrje Izraelit që “ta rishqyrtojë menjëherë vendimin”.
“Kjo veprimtari nuk do të bëjë asgjë për t’i dhënë fund këtij konflikti apo për të ndihmuar në lirimin e pengjeve. Ajo do të sjellë vetëm më shumë gjakderdhje”, shtoi ai.
Starmer theksoi se kriza humanitare në Gaza po përkeqësohet çdo ditë ndërsa pengjet e marra nga Hamasi po mbahen në kushte “të tmerrshme”, raporton skynews.
Lideri britanik tha se Mbretëria e Bashkuar po punon me aleatët për një plan afatgjatë në mënyrë që të sigurohet paqja në rajon, si pjesë e një zgjidhjeje me dy shtete.
Ndryshe, konflikti i fundit nisi me sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1200 njerëz dhe u rrëmbyen 251 të tjerë. Mendohet se Hamasi ende mban rreth 50 pengje.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi, në ofensivën hakmarrëse të Izraelit janë vrarë mbi 61 mijë palestinezë. /Telegrafi/


