BQK dhe sektori bankar vazhdojnë përgatitjet për integrimin në SEPA
Në vazhdën e përgatitjeve për integrimin e Republikës së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), Shoqata e Bankave të Kosovës organizoi punëtorinë “SEPA Implementation: Processes, Requirements and Next Steps”, me pjesëmarrjen e stafit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), drejtuesve dhe përfaqësuesve të sektorit bankar, si dhe ekspertëve të fushë.
Punëtoria shërbeu si vazhdimësi e diskutimeve dhe përgatitjeve të përbashkëta të BQK-së dhe sektorit bankar, duke u fokusuar në kërkesat për aderim në skemat SEPA, përgatitjet teknike dhe operative, si dhe në hapat që duhet të ndërmarrin bankat për të siguruar gatishmërinë e tyre me kohë.
Në fjalën e tij, Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili theksoi se integrimi në SEPA përbën një nga prioritetet strategjike të BQK-së dhe një nga proceset më të rëndësishme për integrimin financiar të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Ai vlerësoi se ky proces, së bashku me projektin TIPS Clone për pagesat e shpejta, përfaqëson një transformim të rëndësishëm të infrastrukturës së pagesave, me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, bizneset dhe ekonominë e vendit.
BQK-ja ka avancuar në vazhdimësi përgatitjet institucionale për SEPA përmes përafrimit të kuadrit ligjor dhe rregullativ me kërkesat evropiane, përgatitjes së kornizës së aplikimit dhe koordinimit me institucionet vendore, sektorin financiar dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Paralelisht me përmbylljen e hapave të mbetur institucionalë, përkatësisht miratimin nga Kuvendi të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, fokusi po orientohet gjithnjë e më shumë drejt gatishmërisë së sektorit bankar për fazën e aderimit dhe zbatimit”.
Guvernatori Ismaili theksoi se pranimi i Kosovës në SEPA duhet ta gjejë sektorin bankar të përgatitur për aderim dhe pjesëmarrje operative në skemat përkatëse, marre parasysh kompleksitetin dhe kohën e nevojshme te procesit nga përvojat e rajonit. Për këtë arsye, përgatitjet teknike dhe operative duhet të vazhdojnë dhe të intensifikohen më tej, në vazhdën e udhëzimeve dhe aktiviteteve të ndërmarra deri më tani.
BQK-ja pret që secila bankë dhe institucion i pagesave, krahas trajtimit të SEPA-s si projekt strategjik institucional dhe nën vëmendjen e vazhdueshme të menaxhmentit të lartë, të alokojë resurse të dedikuara, me përgjegjësi të qarta dhe plane konkrete për zbatimin në praktikë.
“Krahas koordinimit në nivel sektorial, secila bankë duhet të finalizojë përgatitjet individuale për përshtatjen e sistemeve dhe procedurave, sigurimin e pajtueshmërisë me kërkesat e skemave SEPA, realizimin e testimeve dhe garantimin e gatishmërisë operative”, u tha më tej.
Gjatë punëtorisë u diskutuan kërkesat dhe proceset e aderimit në SEPA, si dhe përvojat praktike që mund të ndihmojnë bankat në përgatitjen e tyre. Në këtë kuadër, u vlerësua rëndësia e shfrytëzimit të përvojës së bankave dhe grupeve bankare që tashmë operojnë në vendet e SEPA-s, me qëllim të transferimit të njohurive dhe përshpejtimit të procesit të përgatitjeve.
BQK-ja thekson se do të vazhdojë me prioritet të lartë koordinimin dhe diskutimet me sektorin bankar dhe të pagesave, duke përcjellë nga afër avancimin e përgatitjeve dhe duke adresuar së bashku çështjet që kërkojnë koordinim të mëtejshëm.
“Synimi është që përgatitjet institucionale dhe ato të sektorit të avancojnë paralelisht, në mënyrë që Kosova dhe sistemi i saj financiar të jenë të gatshëm për një integrim sa më të shpejtë, efektiv dhe funksional në SEPA”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


