Please enter at least 3 characters.

Bota para një El Nino më ekstrem të 140 viteve të fundit?

Në Oqeanin Paqësor po zhvillohet një El Nino potencialisht ekstrem, një fenomen klimatik që mund të ndikojë në kushtet e motit në mbarë botën në javët në vijim.

Meteorologët paralajmërojnë se mund të jetë El Nino më i fortë i regjistruar ndonjëherë.

“Fenomeni ka potencial të vërtetë për t'u zhvilluar në aktivitetin më të fortë El Nino të 140 viteve të fundit”, tha Paul Roundy, profesor për studimet atmosferike dhe mjedisore në Universitetin Shtetëror të New Yorkut (Albany).

Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) supozon se kushtet e motit El Nino do të fillojnë së shpejti të ndihen dhe do të zgjasin të paktën deri në dimër.

Në varësi të fuqisë dhe kohëzgjatjes së fenomenit, kjo mund të çojë në thatësira, përmbytje, valë të nxehti dhe ndërprerje të furnizimit me ushqim dhe ujë në shumë rajone.

"Bota duhet ta shohë këtë si një paralajmërim urgjent klimatik”, paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

"Kushtet e motit El Nino do të veprojnë si një përshpejtues zjarri në një botë që po ngrohet”, shtoi ai.

Çfarë është El Nino?

El Nino është një model klimatik natyror që përsëritet çdo dy deri në shtatë vjet.

Ai fillon me dobësimin e erërave pasate mbi Paqësorin tropikal. Si pasojë, ujëra të ngrohta grumbullohen në Oqeanin Paqësor.

Kjo ngrohje ndodh vetëm në një rajon, me një sipërfaqe afërsisht sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por efektet ndihen në të gjithë globin.

"Ndryshimet në atmosferën tropikale mund të ndikojnë edhe atmosferën në gjerësitë e mesme”, tha Gavin Schmidt nga Instituti Goddard i NASA-s për Studime Hapësinore.

"Prandaj na prek edhe ne, edhe pse mund të jemi mijëra kilometra larg”, shtoi ai.

Cilat janë efektet e pritshme në klimë?

Efektet e shkaktuara nga El Nino ndryshojnë shumë nga rajoni në rajon.

Në disa vende shkakton thatësirë, ndërsa në të tjera përmbytje. Disa rajone në Amerikën Qendrore, Azi, Afrikë dhe Australi bëhen më të nxehta dhe më të thata gjatë viteve me El Nino.

Mungesa e ujit ndikon në bujqësi, prodhimin e energjisë hidroelektrike dhe furnizimin me ujë të pijshëm.

Në Honduras, autoritetet presin që thatësira e rëndë të prekë rreth 75 komuna. Në kryeqytetin Tegucigalpa tashmë është shpallur gjendja e emergjencës për ujë.

Në rajone të tjera ndodh e kundërta. Në pjesë të bregdetit të Paqësorit në Amerikën e Jugut, El Nino mund të shkaktojë reshje të rrëmbyeshme dhe përmbytje shkatërruese.

Edhe pasi reshjet kanë ndalur ose rezervuarët janë tharë, pasojat mund të ndihen për një kohë të gjatë.

El Nino lidhet me humbje të të korrave dhe dëme ekonomike në nivele trilionëshe.

Gjatë El Nino 2015/2016, miliona njerëz në mbarë botën kishin nevojë për ndihmë ushqimore për shkak të prodhimeve të dobëta.

Zjarret në pyje po bëhen gjithashtu një kërcënim në rritje.

Shkencëtarët paralajmërojnë për rritje të rrezikut nga nxehtësia ekstreme dhe thatësira, që favorizojnë zjarret në Australi, Kanada, SHBA dhe në pyjet tropikale të Amazonës.

Stuhitë, koralet dhe sezoni i uraganeve

El Nino luan gjithashtu rol në formimin e stuhive tropikale. Shkencëtarët presin që sezoni i uraganeve në Atlantik sivjet të jetë më i dobët se zakonisht.

Fenomeni rrit zakonisht prerjen e erës mbi Atlantik, duke e bërë më të vështirë formimin dhe forcimin e stuhive.

“Në Paqësorin tropikal, ujërat po ngrohen”, shpjegon shkencëtari Brian Tang.

"Kur zhvillohet El Nino, sidomos gjatë sezonit të uraganeve, formimi i reve, stuhive dhe reshjeve në Atlantik zakonisht pengohet”, shtoi ai.

Megjithatë, më pak stuhi nuk do të thotë më pak rrezik.

Nëse një stuhi bëhet uragan, ajo është e vështirë të ndalet dhe mund të shkaktojë dëme katastrofike.

Në Paqësor ndodh e kundërta: El Nino zakonisht shkakton më shumë stuhi dhe më të forta.

Ekosistemet detare gjithashtu janë nën presion. Temperatura më e lartë e ujit mund të shkaktojë zbardhjen e koraleve dhe të dëmtojë më tej shkëmbinjtë koralorë tashmë të dobësuar nga ndryshimet klimatike.

Edhe fermerët ndiejnë pasojat. Në Indi, prodhuesit e mangos raportuan rënie të ndjeshme të prodhimit për shkak të kushteve të pazakonta të motit që ndikuan në lulëzim dhe frutëzim.

Sipas shkencëtarëve, nuk ka prova të qarta që ndryshimi klimatik e forcon vetë El Nino, por ai mund të rrisë efektet e tij.

Meqë temperaturat globale tashmë janë pranë niveleve rekord, El Nino mund t'i shtyjë ato edhe më lart.

Si mund të përgatitet bota?

Një avantazh i El Nino është se zhvillohet ngadalë dhe mund të vëzhgohet muaj përpara.

Shkencëtarët monitorojnë temperaturat e oqeanit dhe kushtet atmosferike, duke u dhënë qeverive dhe komuniteteve kohë për përgatitje.

Parashikimet u mundësojnë autoriteteve të marrin masa për të mbrojtur të korrat, për të përmirësuar mbrojtjen nga përmbytjet dhe për të optimizuar sistemet e paralajmërimit të hershëm. /DW/

true