Beqiri realist pas eliminimit, një mësim i madh për të ardhmen
Shkëndija e Tetovës e mbylli sonte aventurën evropiane me një humbje 4-0 në udhëtim ndaj Samsunsporit, duke vulosur eliminimin me rezultat të përgjithshëm 5-0. Kujtojmë se edhe në ndeshjen e parë në Shkup, skuadra turke kishte fituar minimalisht 0-1, çka në total i dha kualifikimin tutje në Ligën e Konferencës, njofton Telegrafi.
Pas takimit, trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, u paraqit në konferencë për shtyp, duke treguar sportivitet dhe realizëm në analizën e tij. Ai përgëzoi kundërshtarin për kualifikimin, duke pranuar se në dy ndeshjet e zhvilluara, Samsunspori tregoi më shumë në momentet vendimtare.
“Si fillim një herë dua të përgëzojë ekipin e Samsunsporit për kualifikim, mendoj se në këto dy ndeshjet e kanë merituar. Sa i përket ndeshjes, mendoj se ne ishim shumë mirë në pjesën e parë, pastaj një penallti aksidentale dhe lodhja e bënë të veten, që më pas të pësojmë humbje me rezultat të thellë. Përkundër disfatës që pësuam dhe eliminimit nga këto gara, ne kemi marrë një përvojë të madhe dhe mësim nga këto gara, të cilën do mundohemi që t’i shfrytëzojmë pozitivisht që edhe në vitet e ardhshme të jemi pjesë e këtyre sukseseve”, deklaroi Beqiri.
Megjithatë, përtej rezultatit, kjo mbetet një fushatë historike për Shkëndijën. Arritja deri në këtë fazë të garës evropiane për herë të parë në histori është një hap i madh për klubin dhe një përvojë e çmuar që sipas trajnerit, do të shërbejë si bazë për rikthime të reja në skenën ndërkombëtare.
Tani, fokusi zhvendoset plotësisht në skenën vendore, aty ku Shkëndija mbetet në garë për titullin kampion dhe trofeun e Kupës. Evropa përfundoi, por me një bagazh të pasur përvoje për të ardhmen. /Telegrafi/


