Please enter at least 3 characters.

Von der Leyen: 205 milionë euro për Kosovën pas lehtësimit të masave të BE-së

Bashkimi Evropian ka nisur procesin e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës, ndërsa 205 milionë euro ndihmë financiare pritet të lëshohen në fillim të vitit të ardhshëm.

Lajmi u konfirmua nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila njoftoi se fondet do të dalin nga 216 milionë eurot e planifikuara për Kosovën, pas vendimit për heqjen e pjesshme të masave.

“Jam e lumtur të njoftoj se po ecim përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. Po programojmë 216 milionë euro ndihmë financiare dhe kemi ndërmend të lëshojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm,” ka shkruar Von der Leyen në platformën X.

Ajo e ka cilësuar këtë zhvillim si lajm të mirë, duke theksuar se procesi do të vazhdojë deri në heqjen e plotë të masave të vendosura nga BE-ja.

Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian do t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese deri në fund të janarit.

Pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Bruksel, Osmani ka deklaruar se ka marrë konfirmim të drejtpërdrejtë nga Von der Leyen për heqjen e plotë të masave gjatë muajit janar.

Të martën, BE-ja hoqi një pjesë të masave të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023.

Sipas një letre nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i BE-së, Gert Jan Koopman, janë liruar mjetet financiare për katër projekte, pas vlerësimit se ka pasur një “transferim të duhur të pushtetit lokal në veri” pas zgjedhjeve të mbajtura në tetor.

Masat ndëshkuese ishin vendosur në vitin 2023 për shkak të tensioneve në veri të Kosovës, ndërsa vendimi për heqjen graduale të tyre shihet si një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian./Telegrafi.