BDI dënon dhunën dhe gjuhën e urrejtjes së huliganëve maqedonas
Nëpërmjet një kumtese të lëshuar të BDI-së thuhet se kjo parti "dënon gjuhën e urrejtjes si dhe aktet e dhunës së shfaqur dje nga ana e grupit të tifozëve në Shkup pas fitores së klubit të hendbollit “Vardar”.
"Bashkimi Demokratik për Integrim nxit organet kompetente që të hetojnë rastin e djeshëm dhe personat që në vazhdimësi përsërisin këtë dukuri të dalin para organeve të drejtësisë", thonë nga BDI, njofton Telegrafi Maqedoni.
BDI i fton qytetarët të mos bien pre e provokimeve të ulëta nga tifo-grupet e ndryshme.
"Klubet dhe sportistët duhet të reagojnë gjithashtu për ta dënuar dhe për tu distancuar nga dhuna dhe urrejtja, me kërkesë që tifozët në mënyrë sportive të festojnë fitoret e klubeve sportive dhe jo të nxisin urrejtje dhe ndarje në mes bashkësive të ndryshme etnike që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut", thuhet në fund të kumtesës së BDI-së./Telegrafi/


