Please enter at least 3 characters.

Barcelona synon transferimin e yllit të Milanit me një operacion të papritur

Barcelona po has vështirësi në përpjekjet për të siguruar shërbimet e Julian Alvarez dhe, si pasojë, klubi katalanas ka filluar të shqyrtojë alternativa të tjera për repartin ofensiv.

Një nga emrat që ka dalë sërish në pah është sulmuesi portugez i Milanit, Rafael Leao, një prej objektivave të vjetër të drejtuesve sportivë të “blaugranave”.

Sipas raportimeve nga Italia, konkretisht Gazzetta dello Sport, Milani mund të jetë i hapur për një marrëveshje huazimi me opsion blerjeje për lojtarin, në një paketë që mund të arrijë deri në 60 milionë euro.

Një formulë e ngjashme me operacionin e mëparshëm të Barcelonës për Marcus Rashford.

Milani, i vetëdijshëm se nuk ka shumë fuqi në një shitje të drejtpërdrejtë në këtë moment, mund të pranojë një largim të Leaos në formë huazimi, duke përfshirë një opsion blerjeje të vendosur në fund të sezonit.

Ky skenar do t’i lejonte Barcelonës ta testonte lojtarin përpara se të marrë një vendim përfundimtar për aktivizimin e klauzolës.

Raportohet se sulmuesi portugez nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit nga “San Siro” gjatë verës, sidomos pas një sezoni jo në nivelin e tij më të mirë, pavarësisht paraqitjeve të mira në skenën ndërkombëtare.

Te Barcelona, trajneri Hansi Flick po kërkon përforcime cilësore në fazën ofensive, ndërsa drejtori sportiv Deco po punon për të gjetur një profil që mund të rrisë nivelin konkurrues të skuadrës.

Edhe pse Julian Alvarez mbetet prioriteti kryesor, rezistenca e Atletico Madridit po e bën të vështirë finalizimin e një marrëveshjeje, duke e shtyrë klubin katalanas të eksplorojë opsione të tjera.

Barcelona nuk është e vetme në garë për Leao, pasi interesim për sulmuesin portugez ka shfaqur edhe Manchester United.

Megjithatë, opsioni i huazimit me të drejtë blerjeje shihet si një avantazh për katalanasit dhe mund të përshpejtojë lëvizjet në javët e ardhshme. /Telegrafi/