Please enter at least 3 characters.

Barcelona pranë rinovimit të shumëpritur me yllin e ekipit, marrëveshja arrihet në parim

Bisedimet mes Barcelonës dhe Eric Garcias për rinovimin e shumëpritur të kontratës kanë hyrë në fazën përfundimtare, me palët që tashmë kanë arritur një marrëveshje në parim pas disa javëve negociata, raporton “Mundo Deportivo”.

Pavarësisht interesimit nga PSG-ja i Luis Enriques, mbrojtësi spanjoll mbetet plotësisht i përkushtuar për të qëndruar në “Camp Nou”, aty ku ndihet si në shtëpi dhe ku vlerësohet maksimalisht. Brenda klubit ai shihet si një pjesë thelbësore e projektit dhe madje edhe si një kapiten i mundshëm i së ardhmes.

Kontrata e re, e cila pritet të vlejë deri në vitin 2030, është shumë pranë finalizimit. Garcia ka qenë ndër lojtarët më të qëndrueshëm të Hansi Flick këtë sezon, duke dhënë një tjetër paraqitje solide kundër Athletic Bilbaos dhe duke regjistruar minutat më të shumta në të gjithë skuadrën.

Eric Garcia

Aftësia për të luajtur në disa pozita dhe paraqitjet e tij konstante me vlerësime rreth “7 nga 10” kanë qenë ndër faktorët kryesorë që kanë shtyrë Barcelonën drejt këtij rinovimi.

Mbrojtësi po shkëlqen në një dhomë zhveshjeje të mbushur me shokë të vjetër nga La Masia dhe me bashkëlojtarë të njohur nga Kombëtarja e Spanjës.

Pas rikthimit nga huazimi te Girona, Garcia madje kishte marrë në konsideratë edhe një largim tjetër gjatë dimrit të kaluar, por Hansi Flick e bindi që të qëndronte — dhe besimi i gjermanit është shpërblyer me formën më të mirë të Garcias që nga viti 2021, kur ai u bashkua me klubin./Telegrafi